SHBA-Britani synojnë të bojkotojnë konferencën në Arabi pas zhdukjes së gazetarit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe po shqyrtojnë mundësinë e bojkotit të konferencës ndërkombëtare në Arabinë Saudite që do të mbahet gjatë këtij muaji, pas zhdukjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Bota

14/10/2018 15:02

BBC raporton se ka mësuar nga burimet diplomatike që SHBA dhe Britania kanë vendosur që të dënojnë Arabinë.

Gazetari saudit, një kritik i qeverisë së vendit të tij, u zhduk më 2 Tetor pasi vizitoi konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Autoritetet turke besojnë se gazetari u vra në Stamboll nga agjentët sauditë, ndërsa Riadi i ka hedhur poshtë këto pretendime duke i konsideruar si të pavërteta.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se do të dënojë Arabinë nëse zbulohet se është përgjegjëse për vrasjen e gazetarit. Disa grupe mediatike gjithashtu kanë vendosur që të mos marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare në Arabi në shkretëtirën e Davos.

Ndërsa e fejuara e gazetarit Jamal, Hatice Cengiz ka thënë se fjalët nuk mjaftojnë nëse ai është vrarë.

“Nëse kemi humbur Jamal, dënimi nuk është i mjaftueshëm. Njerëzit që e morën larg nesh, pavarësisht posteve të tyre politike, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të ndëshkohen nga ligji”, u shpreh ajo në një shkrim për New York Times. E fejuara e gazetarit shtoi gjithashtu se të shtunën ishte ditëlindja e Jamal. /tvklan.al