SHBA: Bota mbështet përpjekjet për të vënë nën kontroll Phenianin

Shtetet e Bashkuara thonë se shumë vende të tjera i mbështesin përpjekjet e tyre për t’u bërë presion udhëheqësve të Koresë së Veriut që të heqin dorë nga programi i armëve bërthamore. Shkëmbimet e replikave mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un këtë javë kanë shtuar shqetësimet se mund të ketë një përplasje ushtarake që do të destabilizonte gadishullin korean.

Bota

10/08/2017 16:46

Departamenti amerikan i Shtetit i doli dje në mbrojtje zotimit të Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen “me zjarr dhe furi” ndaj kërcënimit koreano-verior se mund të godasë ishullin e Guamit që bën pjesë në komunuelthin amerikan dhe ku ndodhen dy baza strategjike amerikane.

“Së pari të analizojmë cilat janë zhvillimet alarmante. Ka pasur dy prova me raketa balisitike ndërkontinentale brenda një muaji, dy prova bërthamore gjatë vitit të kaluar. Në fakt, në Kinë u regjistrua një tërmet dhe shumë prej jush më dërguan emaile me pyetjen “Mos ishte një tjetër provë bërthamore?” Kjo tregon sa serioze është situata aktuale,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Zëdhënësja Heather Nauert tha se provat bërthamore të Koresë së Veriut janë kërcënim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm Shtetet e Bashkuara.

Qeveria franceze vlerësoi dje përgjigjen e prerë që i dha Presidenti Trump kërcënimit koreano-verior ndaj territorit amerikan, por bëri thirrje për një zgjidhje paqësore.

Christophe castaner, zëdhënës i qeverisë franceze

“Franca është e gatshme ta përdorë influencën e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore, pasi rreziku është real. Vendosmëria që dëshmoi presidenti amerikan me përgjigjen e tij është e njëjtë me atë që do të kishte treguar çdo president tjetër amerikan, pasi është e papranueshme që një pjesë e territorit të jetë nën kërcënimin e sulmeve me raketa balistike,” tha zëdhënësi i qeverisë franceze.

Japonia tha se avionët e saj luftarakë dhe bombarduesit supersonikë amerikanë kishin kryer dje manovra të përbashkëta mbi qiejt pranë gadishullit korean.

Acarimi i situatës ka zgjuar shqetësime mes koreano-jugorëve:

“Duke qenë se së shpejti do të filloj shërbimin ushtarak dhe është shumë e mundur që kur të jem në radhët e ushtrisë do të duhet të përballem me këtë kërcënim, e shoh si shumë të frikshëm,” thotë një burrë.

“I dashuri im është ushtar, po shërben për mbrojtjen e vendit. Jam shumë e shqetësuar pasi kam një njeri të afërt që mund të ndikohet nga kjo situatë. Po ashtu si shtetase, sa herë shoh lajmet shqetësohem,” thotë një koreano-jugore.

Rusia ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike për uljen e tensioneve. Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha gjatë udhëtimit për në Guam tha se udhëheqësi koreano-verior nuk duket se e kupton gjuhën e diplomacisë. /VOA/