SHBA, arrestohet një person që planifikonte sulm terrorist më 4 korrik

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA ka arrestuar një person të dyshuar për planifikimin e një sulmi me makinë më 4 korrik në Cleveland.

Bota

03/07/2018 13:27

“Demetrius Nathaniel Pitts (48) u arrestua të dielën dhe u akuzua për përpjekje për të siguruar mbështetje për Al-Kaidën, pasi FBI-ja zbuloi mesazhin që kishte dërguar në Facebook agjentit special të FBI-së”, tha Agent Stephen Anthony në një konferencë shtypi.

Anthony tha se Pitt është shtetas amerikan i radikalizuar në SHBA. Vitin e kaluar ishte nën mbikëqyrjen e FBI-së pasi në rrjetet sociale kishte nxjerrë postime të urrejtjes ndaj SHBA-ve dhe dëshirën për t’u bashkuar me grupin terrorist.

Arrestimi i Pitts ndodhi pasi ai u takua me një agjent të fshehtë të FBI-së dhe për të cilin besonte të jetë një mbështetës i Al-Kaedës. Pitts i kishte thënë agjentit për planin e tij për të vendosur një bombë në paradën me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve dhe qëllimit të tij ku synojnë vende të tjera në Cleveland dhe Philadelphi.

“Unë do të jem në qendër të qytetit, kur mjeti të aktivizohet. Unë do të jem aty diku, sepse dua të shoh aktivizimin”, ka thënë Pitts, të cilën FBI e ka dokumentuar.

Sipas zyrtarëve, ai gjithashtu i ka thënë agjentit të FBI-së se ai do të shkonte në qendër të Cleveland për të vëzhguar potencialin e objektivit të mundshëm të sulmit. Ai mori një telefon dhe një biletë autobusi nga agjenti për të kryer misionin. Pitts më vonë ia ktheu agjentit telefonin me video incizime dhe objektiva të mundshëm të sulmit, duke përfshirë Park Voinovich dhe stacionin e Rojës bregdetare të SHBA-ve, raporton Anadolu Agency .

Pitts në fillim kishte biseduar me agjentin për montimin e bombës në makinat lodra për fëmijë me telekomandë, por më vonë ai ka thënë se duhet të shpërthente një makinë bombë.

Antony tha se ishte e paqartë nëse Pitts ishte i gatshëm për të kryer kërcënimet e tij, por tha se qeveria nuk mund të tërhiqet dhe të pres për të mësuar.

“Ne nuk kemi luksin të shpresojmë që një individ do të vendosë që të mos dëmtojë dikë apo të mos nxisë të tjerët për të vepruar”, shtoi ai.

Pitts mund të përballet me 20 vjet burg nëse dënohet.