Shaqiri “provokon” Vidicin (Foto)

Portali serb “Kurir”, i ka përshkruar këpucët sportive të Xherdan Shaqirit me flamurin e Kosovës si dhe një fotografi të tij të vjetër si provokim për dy futbollistët serbë të ekipit, Nemanja Vidic dhe Zdravko Kuzmanovic. 

Sport

10/01/2015 12:46

Mediat serbe kanë gjetur një “provokim” të ri. Kësaj radhe, nga përforcimi i ri i Interit, Xherdan Shaqiri.

Në stërvitjen e tij të parë me Nerazzurrët, mesfushori kosovar u paraqit me një palë këpucë sportive në të cilat gjendej edhe flamuri i Kosovës. Ndërsa, më parë ishte fotografuar me flamurin e Kosovës të ngjyrosur në dorë.

Kurse, portali serb “Kurir”, e ka konsideruar gjestin si provokim ndaj dy futbollistëve serbë të Interit, Nemanja Vidic dhe Zdravko Kuzmanovic.

Përveç këtij rasti, “Kurir” përmend atë kur Shaqiri me ish sulmuesin e Atletico Madridit, Mario Mandzukic, kishin bërë një përshëndetje ushtarake, në nderim të gjeneralëve kroatë të liruar nga Gjykata e Hagës.