Shaqiri: Plot spekulime rreth meje, vendos Bayerni

Xherdan Shaqiri është lodhur nga spekulimet që po qarkullojnë rreth së ardhmes së tij. Mesfushori kosovar thotë se gjithçka vendos Bayern Munichu, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2016.

Sport

24/07/2014 00:24

Xherdan Shaqiri është duke i shijuar pushimet në maksimum dhe nuk po mendon shumë për të ardhmen e tij.

Por, mesfushori kosovar ka lexuar shumëçka që është shkruar për të ditëve të fundit, përfshirë këtu një intervistë, për të cilën thotë se nuk e ka dhënë, ku thoshte se Juventusi do të ishte një destinacion i pëlqyer.

“Është një periudhë kur po shkruhen shumë gjera, por siç e dimë, ka pak të vërteta tek to. Dua ta tregoj pozicionin tim rreth këtyre spekulimeve”, ka shkruar 22 vjeçari në rrjetin social Facebook.

“Unë jam në pushime aktualisht dhe nuk kam menduar për klube tjera e as nuk kam biseduar me gazetarë”, vijoi ai.

“Kam kontratë me Bayern Munichun deri në vitin 2016 dhe për këtë punë merren drejtuesit e klubit, kështu që nuk ka nevojë për spekulime”, përfundoi Shaqiri.