Shaqiri në top-formë për Botëror
Mesfushori i Zvicrës, Xherdan Shaqiri është optimist se do të jetë në top-formë për fillimin e Kampionatit botëror në Brazil. Ai beson se skuadra helvetike mund të jetë befasia e garës.
Sport
Mesfushori i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri ka filluar të mendojë për Kampionatin botëror.
Ylli kosovar i gjigantit bavarez ka vuajtur nga lëndimet e shpeshta gjatë këtij edicioni dhe ende është në rikuperim e sipër.
Por, ai pret që të jetë i rikuperuar për fillimin e garës në Brazil, ku do të paraqitet me Zvicrën.
“Nuk brengosem për Botëror. Deri në takimin e parë, kam kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur. Do të jem në formë”, deklaroi Shaqiri për portalin Sportal.de.
Shaqiri beson se Zvicra mund të jetë një prej befasive në Kampionatin botëror, ku do të garojë në Grupin E me Ekuadorin, Francën dhe Hondurasin.
“Jemi një skuadër e mirë, e re, por e uritur. Objektivi ynë është që të kualifikohemi tutje nga faza e grupeve dhe mendoj se mund të befasojmë në Kampionatin botëror, nëse luajmë shumë mirë”, përfundoi ai.