Shaqiri ndez motorët për Botëror

Xherdan Shaqiri do të jetë i gatshëm kur të fillojë Kampionati Botëror. Mesfushori kosovar po ushtron fort, që të rikthehet në formën më të mirë, të cilën thotë se nuk e ka arritur ende. Ai synon ta ketë një Botëror të suksesshëm.

Sport

03/06/2014 11:05

Xherdan Shaqiri po përgatitet maksimalisht për Botërorin e Brazilit. Mesfushori kosovar thotë se për momentin nuk është në formën më të mirë, por është i bindur se do ta arrijë atë sapo të fillojë Botërori.

“Jam i lumtur që isha në gjendje të rezistoja ndaj Xhamajkës, pasi u ktheva në fushën e blertë. Mendoj se më kanë parë të gjithë, sidomos në pjesën e parë. Nuk jam ende 100 për qind, por kur të fillojë Botërori, do të jem në formën perfekte”, deklaroi 22 vjeçari për magazinën zvicerane, Blick.

Sa i përket sezonit që shkoi, futbollisti gjilanas e pranon se priste të luante më shumë dhe se nuk është i kënaqur me minutazhin

Mirëpo, për të është e rëndësishme se po vazhdon të përmirësohet, në një sezon ku e përshkuan lëndimet e njëpasnjëshme.

Shaqiri është i bindur se Bayerni planifikon ta mbajë në ekip, edhe pse trajneri Pep Guardiola nuk po ia jep rastin si duhet.

Shaqiri insiston se, për dallim nga Botërori 2010, Zvicra është më e fortë dhe beson se do të jetë më e suksesshme.

Ai nuk e ndien presionin për faktin se është lojtar i Bayern Munichut, pasi të gjithë presin shumë nga ai.

Madje, Xherdani thotë se njerëzit e kanë tepruar paksa me pritjet e tyre nga ai, pasi insiston se Zvicra bën lojë kolektive dhe nuk bazohet tek individi.