Shansi i madh me zgjedhjet

Duke folur për marrëveshjen e Brukselit, Ashton ka lavdëruar Kryeministrat Thaçi dhe Dacic, të cilët, sipas saj, kanë menduar për të ardhmen e popujve të tyre, duke lënë anash të kaluarën.

Lajme

01/10/2013 08:42

Zgjedhjet komunale që pritet të mbahen më 3 nëntor paraqesin një shans të madh, pasi që për herë të parë pas vitit 1999 Serbia u ka bërë thirrje komunitetit të saj në Kosovë që të marrë pjesë në zgjedhje, ka thënë Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Pas përfundimit të zgjedhjeve do të mund të vijë deri te një marrëveshje tjetër në mes të dy palëve, ka thënë Ashton gjatë pjesëmarrjes së saj në panelin e qendrës Woodrow Wilson në Washington, ku mes temash tjera në qendër të politikës botërore është folur edhe për Kosovën.

Duke folur për marrëveshjen e Brukselit e cila është arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Ashton ka lavdëruar Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, të cilët, sipas saj, kanë menduar për të ardhmen e popujve të tyre, duke lënë anash të kaluarën.

Ajo ka thënë se dëshira kryesore e Kryeministrave Thaçi dhe Dacic është që vendet e tyre të jenë pjesë e BE’së.

Megjithatë, Përfaqësuesja e Lartë e BE’së ka thënë se që të dy vendet ende kanë nevojë për ndihmë në terren, duke pasur parasysh edhe vrasjen e fundit të doganierit lituan i cili ishte pjesë e EULEX’it.