Shamia Simbol i Paqës apo Polemikës

Gjatë këtyre ditëve është polemizuar shumë çështja e bartjes së shamisë, nga mësimdhënësit apo nxënësit në shkolla. Rasti i fundit kishte ndodhur ne një fshat të Malishevës, me ç´rast nxënësit e një shkolle bojkotuan mësimin, me arsyetimin se nuk do të pranojnë të marrin pjesë në mësim përshkak se mësuesja e lëndës së matematikës (Fatmire Bujupi) bartë mbulesën e kokës. Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më herët në shkolla tjera të Kosovës. Ndërsa me këtë problematikë,tashmë e një kohe të gjatë janë marrë edhe gjykatat e vendeve të ndryshme të botës.

Opinion

19/11/2016 21:48

Bartja e shamisë është e lidhur ngushtë me religjionin. Madje ekzistojne edhe forma të ndryshme tëmbulesave. Reflektimi i tyre tek qytetarët është i ndryshëm, madje jo të gjithë arrijnë të kuptojnë arsyen e bartjes së një mbulese.

Liria e besimit, e ndërgjegjës dhe e fesë është e ankoruar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me ankorimin e tyre në Kushtetutë, institucionet e Republikës së Kosovës, u detyruan në respektimin dhe garantimin e ketyre lirive. Kufizimi i këtyre lirive dhe të drejtave mund të bëhet vetëm në situata të përcaktuara me ligj apo në situata tjera kur një gjë e tillë është e nevojshme për mbrotjten e sigurisë publike, shëndetit ose të drejtave tjera. Këto dhe liritë tjera janë poashtu vlera të rendit kushtetues. Mund të nënvizojmë se askush nuk ka të drejtë të cënojë të drejtat dhe liritë e garantuara, pa qenë e përcaktuar më parë me norma të parashikuara.

Gabime të mëdha gjejmë në interpretimet e ndryshme, atëherë kur bëhet ngatërrimi mes ´´Shtetit Laik´´ dhe ´´Lirisë së Besimit, Ndërgjegjës dhe fesë´´. Në çështjen e parë kemi të bëjmë me distancimin e shtetit në çështje të besimeve fetare. Për këtë arsye shteti duhet të sillet në menyrë neutrale në çështje të tilla. Ndërsa në çështjen e dytë kemi të bëjmë me liri dhe të drejta të garantuara, mbi parime në të cilat është ndërtuar shteti i së drejtës.

Në vitin 2003, Senati i Dytë i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, vendosi që Landet Gjermane mund të nxjerrin vendime për ndalimin e përdorimit të mbulesës. Por, me vendimin e 27 janarit 2015 (Rasti: 1 BvR 471/10, 1 BvR 1181/10), Senati i Parë i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, vendosi që ´ndalesa paushalle´ për përdorimin e mbulesës në shkolla publike, nuk është konform

Ligjit themelor (kushtetutës). Andaj, me vendimin e dytë të kësaj Gjykate, në Gjermani është thyer teza se përdorimi i mbulesës është shkelje e normave të aplikueshme. Me këtë vendim është bërë poashtu e qartë se aktet nënligjore janë dytësore dhe se nuk kanë epërsi ndaj akteve parësore.

Njejtë kishte vendosur edhe Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Supreme Court), në rastin ´Samantha Elauf´, e cila nuk nuk është pranuar në punë përshkak të bartjes së mbulesës.

Raste të ndryshme tregojnë se edhe në institucione tjera është e lejuar bartja e mbulesës. Raste të tilla gjejmë në institucionet policore të vendeve perëndimore. Në vitin 2016 në Kanada, policëve federal i është lejuar bartja e shamisë. Një vendim i tillë është nxjerrë edhe në Skoci. Arsyeja e lejimit të përdorimit të mbulesës konsiston në faktin se çdo njeri ka të drejtën në trajtim të barabartë duke mos lejuar të bëhen diskriminime për shkak të bartjes së një mbulese për arsye religjioze.

Madje, pengesa të tilla duhet mënjanuar, sepse ato mund të sjellin vetëm përçarje mes grupeve të ndryshme shoqërore.

Kosova gjithnjë ka qenë vend i tolerancës fetare, vend i cili gjithnjë ka respektuar lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë, e me këtë edhe praktikimin e lirë të fesë, gjithnjë duke respektuar të drejtat tjera të ankoruara.

Andaj duke u bazuar në këto konkludime, e në vendimet e Gjykatave Kushtetuese dhe Supreme të vendeve të ndryshme, por edhe në interpretimet më eminente të autorëve profesional, mund të vijmë në përfundim se askush nuk ka të drejtë të cenojë të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë.

Ndalimi i përdorimit të shamisë nga punëtorët qoftë të arsimit apo të institucioneve tjera publike, nuk përkon me realitetin e gjendjes faktike brenda dhe jashtë vendit.