Shamia si kusht për koalicione

Partia e Drejtësisë ka vënë një kusht për lidhjen e koalicioneve për balotazh: Kryetarët e komunave që dëshirojnë përkrahjen e saj, duhet të mos i diskriminojnë nxënëset që bartin shami në shkolla.

Lajme

10/11/2013 19:18

Vetëm ai kandidat për Kryetar të Komunës që do të pranojë nxënëset me shami në shkolla, i plotëson kushtet për ta marrë përkrahjen e Partisë së Drejtësisë në garën e balotazhit të 1 dhjetorit për zgjedhjet lokale.

Kjo parti ka bërë të qartë, të dielën, se nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni parazgjedhor pa marrë garanci nga kandidatët që nuk do të diskriminohen nxënëset të cilat bartin shami në shkollat e mesme dhe fillore në komunën ku ata garojnë.

Jeton Svirca, i cili është Deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia e Drejtësisë, ka pohuar se është e pamundur çfarëdo bashkëqeverisje e mirë në nivelin lokal pas zgjedhjeve të 3 nëntorit mbi bazat e shkeljes së të drejtave elementare dhe lirive fetare.

“Partia e Drejtësisë informon elektoratin e saj dhe opinionin e gjerë publik se organet qendrore të PD’së nuk do të legjitimojnë asnjë marrëveshje të koalicionit parazgjedhor për balotazhin e ardhshëm të kandidatëve për Kryetarë të Komunave, pavarësisht nga subjekti politik, në rast se në të nuk është specifikuar qartë obligimi i Kryetarit të Komunës se nuk do të lejojë asnjë përjashtim të nxënëseve nga procesi mësimor për shkak të bartjes së shamisë, duke e interpretuar kështu drejtë dispozitën e aktit përkatës nën-ligjor i cili e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla dhe jo manifestimin publik të bindjeve fetare të qytetarëve të garantuara me Kushtetutën e vendit”, ka thënë Svirca.

Siç raporton Kosovapress, tashmë një gjë e tillë është arritur në Komunën e Ferizajt, ku PD do ta përkrahë kandidatin e PDK’së, Agim Aliu për Kryetar, pasi që ai ka premtuar se nuk do të ketë largim nga shkolla të nxënëseve që bartin shami.