Shala: Partitë në pushtet duhet ta votojnë Rezolutën që mbron territorin e Kosovës

Deputeti i LDK-së Kujtim Shala ka thënë në një konferencë për media se seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita do duhej të fillonte, pasi për fillimin e seancës duhen 40 nënshkrime dhe opozita i ka 51. 

Lajme

06/09/2018 11:30

Ai thotë se nëse partitë e shumicës kanë vullnetin të mbrojnë sovranitetin e vendit atëherë duhet të vijnë në Kuvend dhe ta votojnë këtë rezolutë.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së. ka theksuar se nëse pozita nuk merr pjesë në këtë seancë dhe nuk e voton këtë Rezolutë, i bie të jetë kundër mos negocimit të territorit të Kosovës.

“Nëse partitë e shumicës në Kuvendin e Kosovës kanë vullnetin të mbrojnë sovranitetin e Kosovës duhet të vijnë dhe ta votojnë Rezolutën e opozitës. Nëse nuk e votojnë i bie që ata janë kundër mos negocimit të territorit të Kosovës”, është shprehur Shala.

Shala tutje ka thënë se kjo seancë e thirrur nga opozita duhet të fillojë sepse është e drejtë kushtetuese dhe se kjo nuk lidhet me shumicën, pasi sipas tij duhet shumicë për vendimmarrje e jo për fillim të seancës./Lajmi.net/