Shala: Kosovës i duhet Drejtimi i Ri

Politika e sotme e Kosovës ka mungesë kredibiliteti, ndërsa institucionet e Kosovës kanë mungesë besueshmërie, ka deklaruar nënkryetari i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala. 

Lajme

27/05/2014 13:19

Gjatë një takimi të mbajtur në Vushtrri me anëtarë dhe simpatizantë të AAK-së, Shala ka thënë se ekonomia e Kosovës ka mungesë të zhvillimit, dhe si rrjedhojë qytetarët e Kosovës, në masë të madhe, kanë mungesë të mirëqenies.

 Ai ka thënë se shteti i Kosovës ka mungesë të parash, mungesë organizimi, të fuqisë, mungesë të rendit dhe ligjit, të rrymës dhe të ujit madje. 

 “Të gjithë ne, si shtetas të Kosovës, kemi mungesë të perspektivës së mirëfilltë për tu bërë brenda pak viteve, shtetas të Evropës së bashkuar”.  

“Ballafaqohemi pra sot, me një deficit moral, politik, ekonomik, deficit madje edhe të bindjes, të pritjeve, të shpresës të qytetarëve të Kosovës që mund të ndryshohet kjo gjendje në vend”.

 Shala ka thënë se në dheun e Kosovës ka pasuri të jashtëzakonshme që matet me qindra miliardë euro.

 Por në sipërfaqe, sipas tij, pasuria e vetme që shfaqet sot në Kosovë është korrupsioni.

 “Në dheun e Kosovës kemi një histori të lavdishme të bërë prej heronjve dhe martirëve të të gjitha anëve të Atdheut tonë, të cilëve u përkulemi shpesh, e të cilit i përulim sa herë punojmë keq dhe mbrapsht në shtetin e Kosovës”.

“Në sipërfaqe kemi gjithnjë e më shumë hipokrizi, mashtrime, populizëm të mërzitshëm, fanatizëm të rrezikshëm”.

 “Në tokën e Kosovës pushon sot një perspektivë e zhvillimit të madh ekonomik, nëse linjitin do ta bëjmë energji, nëse mineralet do t’i bëjmë produkte eksporti, nëse arat do t’i bëjmë bujqësi të suksesshme, nëse gjithë potencialin njerëzor që kemi, do ta bëjmë bashkë në Projektin që quhet fare thjeshtë: Shteti i Kosovës”.

 “Nëse nuk jemi gjithmonë për shtetin e Kosovës, nuk jemi gjë. Nuk jemi as për vete, as për familjet tona, as për Zotin”. 

“Kosova duhet të merret me vetveten, duhet t’i kthehet vetvetes. Kosova ka çka të ofrojë, për vete, për qytetarët e saj, për rajonin, madje, edhe për Evropën. Shoqëria dhe politika kosovare kanë edhe rezerva të tjera, pos këtyre që maten me tonelata, me megavat, me hektarë, me para, me rritje të madhe ekonomike”.