Shala: 8 qershori, datë e pamundur e zgjedhjeve

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala ka vlerësuar se nuk ka kohë të mjaftueshme për shkak të procedurave që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare më 8 qershor të këtij viti.

Lajme

05/05/2014 22:50

Deputeti Blerim Shala ka thënë se zgjedhjet parlamentare të cilat parashihen të mbahen këtë vit, nuk mund të konkretizohen më 8 qershor të këtij viti.

Ai në emisionin “Zona B”, në Klan Kosova, ka thënë se objektivisht kjo datë është e pamundur ngase ka punë për t’u bërë në këtë drejtim, ndërsa koha është e pamjaftueshme.

“Kemi shumë pak ditë për t’u marrë vesh nëse dëshirojmë të shkojmë në zgjedhje në qershor. Është e pamundur që për këto 10 ditë të kemi një vendim”, vlerësoi ai.

“Objektivisht, për shkak të procedurave është e pamundur 8 qershori si datë e zgjedhjeve. Ndërmjet tjerash, duhet t’i regjistrojmë votuesit që janë jashtë vendit, pastaj edhe qytetarët serbë… vetëm për këto duhet mjaft kohë”.

“Droja ime është që nëse mbahen zgjedhjet për 30 ditë, gjëja më e keqe që mund të na ndodhë është që në muajt kur do të përmbyllet procesi i  MSA-së do të del një parti që do të thotë se këto kanë qenë zgjedhje të parregullta dhe se s’i njohim rezultatet”.

Shala ka thënë që minimumi i cilësisë së zgjedhjeve që po vijnë duhet të jetë ai i zgjedhjeve lokale të vitit që lamë pas, ndërsa theksoi që deri para disa ditëve qëndrimi i PDK-së, LDK-së e i AAK-së ishte identik për 8 qershorin si datë e fundit e zgjedhjeve.

“Mënyra e vetme për të dalë nga ky moment pa e fajësuar njëri-tjetrin është të ulemi dhe të merremi vesh kur t’i bëjmë zgjedhjet”.

“Ne kemi evoluuar si familje, tash jemi emancipuar, dasmat përcaktohen muaj më herët, ndërsa si shtet po mundohemi të bëjmë diçka që s’bëhet ashtu”, tha ai.

“Ne nuk e dimë asnjëri datën e zgjedhjeve. Ajo vërtetë nuk ekziston, sepse nuk e di askush atë, as kryeministri Thaçi, as deputetët e Kosovës, askush”.

“Nuk mund të bëhet eksperiment me këtë vendim”, ka përfunduar Blerim Shala në emisionin “Zona B”.