Shakohoxha shau tifozët gjatë ndeshjes me Italinë, ja çfarë i bënë ata para duelit me Bosnjën (FOTO)

“Illyrian Elite” gjithashtu kishte përgatitur një surprizë për komentatorin Dritan Shakohoxha.

Sport

29/03/2017 12:59

Deklarata bombastike e Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me incidentin në Palermo u shoqërua me një vendim për të përjashtuar grupimin që e shkaktoi atë ngjarje. Në njoftimin e institucionit të futbollit u bë me dije se asnjë anëtar i tyre nuk do të shkelte më në impiantet e futbollit me bileta nga FSHF. Mirëpo, dje, një grup i madh i kësaj tifozerie ka qenë i pranishëm në stadium për të ndjekur Kombëtaren në “Elbasan Arena”.

SFIDA

Pak ditë më parë, FSHF deklaroi se do të ndalonte kategorikisht futjen e tyre në impiante. “Federata Shqiptare e Futbollit, duke u distancuar tërësisht nga veprime të tilla krejtësisht të papranueshme, ka vendosur të mos u japë dhe të mos u shpërndajë më asnjë biletë për në stadium anëtarëve të grupimit ‘ILLYRIAN ELITE’, të cilët goditën imazhin e mrekullueshëm që prodhoi në Europian tifozeria dhe qytetaria shqiptare”, shprehej ndër të tjera institucioni i futbollit me anë të reagimit.

Mirëpo, ky grupim ka sfiduar çdo ndalesë të deklaruar nga FSHF, pasi ka qenë dje në mënyrë masive për të mbështetur Kombëtaren. Duket se urdhëresa e FSHF-së nuk u kishte shkuar forcave të sigurisë në stadium, ose këta të fundit kanë vendosur të tolerojnë në këtë ndeshje, pasi grupimi në fjalë nuk u fsheh aspak, përkundrazi.

Të pozicionuar në një vend të dukshëm në Tribunën C të stadiumit, ata u paraqitën me fanellat me logot e tyre, për të bërë të qartë se nuk frikësoheshin kurrsesi nga kërcënimi i FSHF-së, i cili në rastin konkret rezultoi bosh. Gjatë gjithë ndeshjes, ky grupim ka ironizuar dhe ofenduar zyrtarët e institucionit të futbollit dhe vetë federatën, në lidhje me sjelljen e saj përballë tifozëve në stadiumet shqiptare. Prania e tyre ka qenë masive, pavarësisht deklaratës së federatës për t’i ndaluar.

“Illyrian Elite” gjithashtu kishte përgatitur një surprizë për komentatorin Dritan Shakohoxha. Ky i fundit doli hapur kundër këtij tifogrupi pas incidenteve në Palermo, dhe reagimi i tifozëve nuk vonoi teksa dje i kishin ngjitur një logo të tyren mbi tavolinën nga ku Shako po komentonte miqësoren Shqipëri-Bosnjë.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6