SFIDAT HISTORIKE TË ZGJEDHJEVE TË 24 DHJETORIT NË PRESHEVË

Komuna e Preshevës me mbi 90 % Shqiptare për shkak të politikave diskriminuese të qeverisë serbe po ballafaqohet me shkallë rekorde të papunësisë dhe me probleme jetësore ekzistenciale.

Lajme

19/12/2017 18:00

Kur në Kosovë kishte filluar fushata anticivilizuese e rrënimit të dhunshëm të pozitës së saj kushtetuese, edhe në Preshevë u zbatuan proceset e egra të diferencimeve ideopolitike dhe largimet e Shqiptarëve nga institucionet arsimore dhe shtetërore.

Gjatë regjimit të egër të Millosheviqit dhe gjendjes së luftës, të përcjellur me vrasje,  plagosje të civilëve dhe shkatërrime masive, rezistenca e popullatës Shqiptare ishte në nivelin më të lartë të mundshëm, edhe në planin politik, por edhe në drejtim të vetmbrojtjes së armatosur. Kjo rrezistencë atëherë ishte e suksesshme edhe për shkak të pavarësisë së konsiderueshme socio – ekonomike të popullatës, e cila në mungesë të investimeve shtetërore gjithnjë është bazuar në kontributet e familiarëve të punësuar në shtetet evropiane.

Pas luftës me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë dhe të qeverisë serbe, u realizuan projekte të rëndësishme të infrastrukturës komunale. Mirëpo ky program i qeverisë serbe i mbështetur nga faktori ndërkombëtarë në pjesën më të madhe ngeli i parealizuar. Ndërsa marrëveshja për riorganizimin e Trupit Koordinues të Qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të autorizuar për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës sikur edhe plani 7 pikësh i Qeverisë serbe për zgjidhjen e problemeve jetësore të Shqiptarëve as që filluan të realizohen.

Në mungesë të realizimit të programeve për përmirësimin e pozitës së rëndë të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës e posaçërisht për shkak të mosnjohjes së diplomave të univerziteteve të Kosovës të rinjtë Shqiptarë në vazhdimësi po largohen dhe rreziku i pastrimit etnik të Luginës së Preshevës në tërësi po bëhet gjithnjë e më alarmant.

Gjatë periudhës së deritanishme të pluralizmit politik, posaçërisht në Preshevë, kishte dominuar rivaliteti në mes të opsionit politik realist dhe atij folklorik. Është indikative se në rastin e Preshevës opsioni i patriotizmit folklorik u tregua më i suksesshëm në vitet e fundit, sepse me opsionin e bojkotit të zgjedhjeve parlamentare dhe paraqitjes së retorikës së fortë patriotike ishte arritur që të fitohen poena të lirë politik.

Sigurisht që folklorizmi patriotik nuk e kishte ndihmuar përmirësimin e pozitës shumë të vështirë të Shqiptarëve në Preshevë, e as në pjesë tjera të Luginës së Preshevës. Mirëpo edhe pjesmarrja e Shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë nuk i dha rezultatet e pritura, sepse asnjë nga qeveritë e deritanishme serbe nuk ishin të gatshme të sigurojnë qasje serioze për zgjidhjen e çështjes së ndieshme të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Madje strukturat shtetërore serbe, në kuadër të raporteve të ndërlikuara shqiptaro – serbe dhe pengesave ende shumë të mëdha në normaliziin e raporteve në mes të Serbisë e Kosovës, në vend të qasjes serioze ndaj pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës gjithnjë ishin të interesuara t’i japin përparësi opsionit folkloriko – bojkotues të Shqiptarëve ndaj opsionit realist që në vazhdimësi kërkon zgjidhje transparente të pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës në kuadër institucioneve më të larta shtetërore.

Në fakt për strategjinë shtetërore serbe opsioni folkloriko – bojkotues i Shqiptarëve ishte i nevojshëm për të diskredituar lidershipin shqiptarë të Luginës karshi faktorit ndërkombëtarë. Përfaqësuesit qeveritar serb në këtë mënyrë arritën që dështimet e qeverisë serbe t’i adresojnë në llogari të udhëheqësve shqiptar duke i fajësuar ata, madje edhe të gjithë Shqiptarët, për bojkotet dhe mosgadishmërinë për t’i realizuar të drejtat që atyre kinse ia ofron Serbia me Kushtetutën dhe ligjet e saja.

Nga zgjedhjet e rregullta lokale të vitit 2016 e posaçërisht me rastin e bllokimit të Kuvendit të Preshevës, shkarkimit të tij dhe emërimit të organit të përkohshëm nga ana e Qeverisë serbe po zhvillohet një strategji e re e Qeverisë serbe ndaj Shqiptarëve në Preshevë, dhe në përgjithësi në Luginë të Preshevës. Kjo strategji që është edhe më perfide dhe më e dëmshme se ajo e deritanishmja pretendon që me ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave më të larta shtetërore të krijohet organizim politik i Shqiptarëve i sinkronizuar me SNS-in e Aleksandar Vuçiq si projekt shtetëror që po i imponohet dhunshëm Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Pikërisht në këtë frymë u krijua partia më e re në Preshevë, Alternativa për Ndryshim, që doli nga strukturat e Qendrës së Solidaritetit dhe Avansimit, organizatë humanitare nga burime finansiare krejtësisht jotransparente. Gjithashtu enigmatik është edhe kryetari i kësaj partie, i cili gjer më tani nga opinioni i ruan si të mshefta personale përgaditjen e tij shkollore dhe punët që i ka kryer në Gjermani.

Pikërisht, në frymën e realizimit të këtij projekti shtetërorë kryeministri Vuçiq më 25 prill 2017 në Leskovc sulmoi kuvendarët e Preshevës, në rradhë të parë këshilltarët e PVD-së pse e kishin shkarkuar Shqiprim Arifin nga funksioni i kryetarit të komunës. Me atë rast kreu aktual i Serbisë kishte akuzuar Shqipërinë dhe Kosovën se kishin ndikuar që të shkarkohet një njeri i mirë që kishte bashkëpunuar me të dhe njerëzit e tij.

Më vonë u pa se nuk ishin të rastit këto ndërhyrje të vrazhda në autonominë e pushtetit lokal të Preshevës. Tanimë ështe shumë i qartë roli i organeve shtetërore serbe në bllokimin e Kuvendit të Preshevës, e posaçërisht në imponimin antikushtetues dhe joligjor të Këshillit të përkohshëm, ku monopoli i plotë i vendosjes iu dhurua pikërisht kryetarit dhe nënkryetarit të APN-së dhe kryetarit të degës së SNS-it të Vuçiqit. Me këtë rast, gjithashtu në formën më të vrazhdë në vend të kryetares së komunës Ardita Sinani për kryetar të organit të përkohshëm u emërua kryetar Shqiprim Arifi që ishte shkarkuar 6 muaj më herët. Jo rastësisht ky organ i përkohshëm, që ka marr karakterin e organit të dhunshëm, me thyerje të rënda ligjore po e keqpërdor skajshmërisht buxhetin komunal ekskluzivisht për fushatën zgjedhore të APN-së. Është e qartë se niveli më i lartë shtetërorë në Serbi, me metodat më të vrazhda, ku po përdoret edhe policia edhe sigurimi informativ shtetëror, po i imponojnë votuesëve Shqiptarë projektin e eksponentëve të tyre, të ciltë po e amnistojnë politikën diskriminuese të shtetit serb, duke i fajësuar subjektet e vjetra shqiptare për të gjitha problemet e rënda me të cilat po ballafaqohen Shqiptarët.

Këta bashibozuk politik për t’a realizuar misionin e tyre antikombëtar, mashtrues e shkatërrues përveç shpërdorimit të padhimbshëm të fondeve të parapara për shkollat dhe shëndetësinë tonë po përgaditen për mbylljen e RTV Presheva, Organizatës së sportit dhe Fondit për qëllime humanitare dhe shumë rëndë po e dëmtojnë Shtëpinë e Kulturës.

Gjithnjë është më e qartë se Qeveria aktuale serbe në kuadër të përgaditjeve për inkuadrim në strukturat e Unionit Europian është e interesuar që eksponentët e tyre Shqiptarë të fitojnë legjitimitetin zgjedhor për të arritur që më lehtë t’a margjinalizojë çështjen e pazgjidhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në këtë situatë shumë të rëndë, 24 dhjetori do të jetë një deklarim plebishitar për ruajtjen e organizimit të pavarur politik të Shqiptarëve në këtë rajon dhe refuzimin unanim të projektit manipulativ të Alternativës për Ndryshim që po e imponojnë organet shtetërore të Serbisë.

Në këtë deklarim referendumian Shqiptarët e Preshevës kanë obligim historik për t’a mbrojtur vullnetin politik të deklaruar me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992.