Sfarqa heq dorë nga konferenca në Beograd, shkak arrestimi i Haradinajt

Kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa ka hequr dorë nga pjesëmarrja e një konference rajonale që do të mbahet në Beograd.

Lajme

10/01/2017 13:57

Sipas Kryetarit Sfarqa një vendim të tillë ka marr në shenjë proteste ndaj politikave provokative të Serbisë ndaj Kosovës, rezultat i të cilave është edhe ndalimi në Francë i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.

Pushteti lokal i Ferizajt përbëhet nga koalicioni LDK-AAK.

Kryetari i Ferizaj ishte ftuar për të marrë pjesë në konferencën rajonale në Beograd, ku do të trajtohet qeverisja efektive lokale.

Ai tha se, përkundër konfirmimit kohë më parë, konsideron që nuk mund të shkojë në Beograd, në kohën që Serbia ka shtuar veprimet, për të penguar çdo proces që do ta bënte Kosovën një vend me stabilitet të qëndrueshëm.

Konferenca rajonale organizohej nga World Bank – Austria Urban Partnership Program, me titull “Qytetet me integritet”, e cila do të mbahet në Beograd më 30 dhe 31 të këtij muaji.