Sevilla – Man Utd, kjo do të ndodhë sonte në Ligën e Kampionëve

“Djajtë e kuq” kanë privilegjin për të luajtur takimin e kthimit pas tre javësh në “Teatrin e Endrrave”, por më parë United duhet të kalojë një pengesë tepër të vështirë, siç është stadiumi “Ramon Sanchez Pizjuan”, ku skuadra andaluziane është thyer vetëm një herë në 15 muajt e fundit.

Sport

21/02/2018 11:56

Të mërkurën në mbrëmje do të zhvillohen edhe dy takimet e fundit që do të plotësojnë përfundimisht kuadrin e ndeshjeve të vajtjes, përsa i përket fazës së 1/8 në Champions League.

Spikat dueli Sevilla – Manchester United, takim tepër interesant ndërmjet dy skuadrave që përballen për herë të parë ndërmjet tyre, në historinë e Kupave të Evropës, por mbi të gjitha bëhet fjalë edhe për një sfidë të drejtpërdrejtë ndërmjet dy klubeve që kanë triumfuar në Europa League nga viti 2014 e prapa.

“Djajtë e kuq” kanë privilegjin për të luajtur takimin e kthimit pas tre javësh në “Teatrin e Endrrave”, por më parë United duhet të kalojë një pengesë tepër të vështirë, siç është stadiumi “Ramon Sanchez Pizjuan”, ku skuadra andaluziane është thyer vetëm një herë në 15 muajt e fundit.

Që nga disfata 3-1 me Juventusin në nëntorin e vitit 2016 “bardhekuqtë” janë mundur në shtëpi vetëm nga Real Betis në derbi 5-3 muajin e kaluar, rezultat që në fakt përbën edhe humbjen e vetme të Sevillas në Andaluzi gjatë kësaj periudhe në të gjithë kompeticionet. Nëse është dikush që e di shumë mirë se si mundet Sevilla ky është pa dyshim Jose Mourinho.

55-vjeçari portugez ka fituar 7 nga 8 përballjet me “bardhekuqtë” dhe ka vërtet shumë eksperiencë në Champions. Falë lojës së kujdesshme, karakteristikë e skuadrave të trajnerit luzitan “Red Devils” të ndihmuar edhe nga shorti zunë vendin e parë, por gjithsesi me mbrojtjen e dytë më të mirë, përsa i përket gjithë fazës së grupeve, ndërsa Sevilla në krahun tjetër u pozicionua në vendin e dytë, menjëherë pas Liverpoolit.

Pas shkarkimit të argjentinasit Eduardo Berizzo në fundin e vitit të kaluar drejtimin e skuadrës e ka marrë Vincenzo Montella dhe trajneri italian ka meritë për eliminimin e Atletikos së Diego Simeones, duke siguruar në vazhdim finalen e Kupës së Mbretit përballë Barcelonës. Për vendasit 6 nga 12 golat i ka realizuar sulmuesi francez, me origjinë tuniziane Wissam Ben Yedder, ndërsa te United ashtu siç pritej arma më e fortë përpara mbetet Romelu Lukaku me 4 gola, transmeton “SuperSport.al”.

2 humbje në 3 javët e fundit në Premiership apo qoftë edhe afrimi i kilianit Alexis Sanchez kanë nxjerrë në pah problemet e Jose Mourinho-s me mesfushorin Paul Pogba dhe tabloidët britanikë po spekulojnë shumë për një transferim të mundshëm të francezit në radhët e Realit të Madridit, sidoqoftë objektivi kryesor i “Djajve të Kuq” në këtë takim është i qartë, për t’u larguar nga Andaluzia pa pësuar.

Takimi tjetër është Shakhtar – Roma dhe sfida e vajtjes edhe këtë radhë nuk do të luhet në Donetsk, por në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë natyrisht pas Kievit.

Askush nuk e priste klubin ukrainas në fazën e knock out-it, megjithatë pasi la jashtë Napolin, ekipin kryesues të Serisë A tani Shakhtar-i kërkon të eliminojë edhe Romën, që bëri një mrekulli më vete në fazën e grupeve, jo vetëm duke eliminuar Atletikon e Madridit por gjithashtu edhe në pozicionimin në vendin e parë, për më tepër në një grup tepër të fortë ku bënin pjesë edhe “blutë” e Londrës.

Te skuadra e Paulo Fonsekës do të mungojë kapiteni Darijo Srna, sidoqoftë Shakhtari që e filloi kampionatin vetëm të premten e kaluar i ka fituar në Ukrainë që të dyja përballjet ndërmjet tyre, madje pa pësuar as gol.