Severina, me të drejtë

Një gjykatë kroate ka vendosur që domaini i portalit të njohur Index.hr të kalojë në pronësi të këngëtares Severina. Nëntë vjet më parë, ky portal kishte publikuar foto nga videoja e saj intime.

ShowBiz

07/01/2014 08:27

Nëntë vjet më parë, i tërë Ballkani po fliste për një video seksi.

Një portal ishte bërë shumë i famshëm brenda disa orëve, pasi kishte publikuar foto nga kjo video.

Kishte pasuar aktpadia.

Procesi gjyqësor nëntëvjeçar mes Severinës, këngëtares më të famshme kroate, dhe Index.hr, portalit të njohur kroat, dje ka marrë epilogun.

Në fakt, një vendim ligjor ishte marrë edhe më herët.

Në vitin 2008, gjykata kishte vendosur që Index.hr t’ia paguante Severinës dëmshpërblimin prej 100 mijë kunash kroate (13 mijë euro). Për shkak të mospagesës me kohë dhe grumbullimit të shpenzimeve gjyqësore, kjo shumë tash ka arritur në 200 mijë kuna (26 mijë euro).

Pasi Index.hr nuk e bërë pagesën, gjykata ka vendosur që domaini www.index.hr të kalojë në pronësi të Severinës.

Këngëtarja do ta organizojë një ankand publik për shitjen e këtij domaini.

Nëse nuk do të ketë të interesuar për blerjen e tij, pronare do të bëhet vetë ajo.

Po ashtu, pronari i tashëm i Index.hr nuk do të mund të hapë asnjë portal të ri që në emrin e tij do ta ketë fjalën “index”.