Serzh Sarkisian zgjedhet kryeministër i Armenisë

Ligjvënësit në Armeni e kanë zgjedhur Serzh Sarkisian në postin e kryeministrit, pavarësisht protestave kundër këtij vendimi.

Bota

17/04/2018 15:34

Në Parlament, 76 ligjvënës kanë votuar për, ndërkaq 17 kundër zgjedhjes së Sarkisian në postin e kryeministrit. Ai nuk ka pasur asnjë kundërkandidat.

Opozita e ka akuzuar atë se ka ndryshuar sistemin politik nga ai presidencial në parlamentar, në mënyrë që të vazhdojë të qëndrojë në pushtet.

Sarkisian ka shërbyer për dy mandate në postin e presidentit.

Gjatë një referendumi më 2015, Armenia kishte vendosur që të barte shumicën e fuqisë politike te posti i kryeministrit.

Zgjedhja e Sarkisian është kundërshtuar, duke bërë që protestuesit të bllokojnë disa nga rrugët në qendër të Jerevanit.

Më herët gjatë ditës, autoritetet armene kanë njoftuar se kanë arrestuar 29 aktivistë./REL