Serwer: Nëse shqiptarët hapin çështjen e kufijve, bëjnë sikur Millosheviqi

Analisti amerikan Daniel Serwer ka qenë i ashpër në analizën që u ka bërë ngjarjeve të fundit, atyre të grafiteve në Manastirin e Deçanit dhe flamurit me hartën e “Shqipërisë Etnike” në Beograd. Ai ka thënë se, nëse shqiptarët angazhohen të hapin çështjen e kufijve, angazhohen për zgjidhjen të cilën e dëshironte Millosheviqi.

Lajme

17/10/2014 17:57

“Daniel Serwer, analist amerikan dhe profesor i Universitetit John Hopkins, ka reaguar lidhur me incidentin në ndeshjen e futbollit Serbi –Shqipëri në Beograd dhe për grafitet e shkruara në muret dhe portën e Manastirit të Deçanit dhe në zonat e tjera të Kosovës gjatë kësaj jave.

Ai ka thënë se këto manifestime janë të pakuptimta, por destruktive të etnonacionalizmit shqiptar

“Serbët e Kosovës druajnë se grafitet janë hyrje në diçka shumë të keqe”. Këto incidente janë serioze edhe për shkak të mesazhit politik që dërgojnë”, ka shkruar Serwer në bllogun e tij peacefare.net,transmeton VOA në serbisht.

“Ka shqiptarë të cilët do të donin që sërish të hapin atë që në shekullin e 19-të ishte e njohur si ‘çështje shqiptare’ – nëse shqiptarët do të jetojnë në një vend ose në disa? Ka serbë të cilët gjithashtu do të donin që sërish të hapin çështjen serbe – nëse serbët do të jetojnë në një vend ose në disa?”, pyet Serëer.

Sipas tij, luftërat ballkanike të 1990-ve dhe komuniteti ndërkombëtar kanë përgjigje të qarta në të dyja pyetjet – edhe shqiptarët edhe serbët do të jetojnë në disa vende.

Ish-kufijtë e brendshëm të RSFJ dhe kufiri ndërkombëtar i Shqipërisë nuk janë rregulluar në bazë të linjave etnike, por kanë mbetur atje ku kanë qenë në kohën e shembjes së murit të Berlinit.

Millosheviqi tentoi të prishë ata kufij dhe humbi luftën në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, kujton Server, duke shtuar se “shqiptarët të cilët imagjinojnë se sërish mund të hapin çështjen e kufijve, angazhohen për zgjidhjen të cilën e dëshironte Millosheviqi”.

Etno-nacionalistët shqiptarë nuk mund të presin kurrfarë mirëkuptimi të komunitetit ndërkombëtar, e mund të llogarisin edhe në rezistencën e madhe ndaj ideve të tyre absurde”, nënvizon Server.

Mirëpo, sipas tij, “shumë ide të tilla mbesin. U takon roli shqiptarëve që të shohin se sa ato janë të rrezikshme dhe destazbilizuese, dhe të pengojnë përhapjen e tyre”, thekson Serwer.