Sërish përleshje në Hong Kong (Foto&Video)

Policia në Hong Kong janë përleshur sërish me aktivistët pro-demokracisë, të cilët po përpiqen të rrethojnë zyrat qeveritare, me synim që të pengojnë funksionimin e qeverisjes lokale të nënshtruar ndaj Pekinit.

Bota

01/12/2014 09:57

Pas dy muajsh, mijëra protestues janë rikthyer në rrugë të dielën në mbrëmje, ndërkohë sipas raporteve zyrtare thuhet se janë arrestuar mbi 40 aktivistë, ndërsa dhjetëra policë janë lënduar gjatë përleshjes ku pat përdorim të shkopinjve dhe gazit lotsjellës nga ana e forcave të rendit.   

Protestuesit pro demokracisë duan që në zgjedhjet e Hong Kongut që planifikohen të mbahen më 2017, të ketë votim të lirë dhe demokratik, por sipas Pekinit zyrtar, garuesit duhet të kalojnë nëpër “skanerin” e qeverisë kineze, pra të jenë të përshtatshëm për Partinë Popullore (Komuniste) të Kinës.  

Trazirat u ndezën vonë të dielën, pasi udhëheqësit e protestës studentore u bënë thirrje mbështetësve që të rrethojnë selinë e Shefit Ekzekutiv të Hong Kongut, CY Leung, i cili i ka premtuar qeverisë në Pekin se do të zbatojë me përpikëri urdhrat e saj.

Dy muaj më parë, në protestat e studentëve merrnin pjesë qindra mijëra qytetarë, por me kalimin e kohës, prania e qytetarëve është gjithnjë e më e vogël, pasi vlerësojnë se demonstratat po i shkaktojnë shumë dëme ekonomisë së Hong Kongut, njofton BBC, transmeton lajmi.net.

Përleshjet e fundit vijnë pasi Kina njoftoi se nuk do të lejojë një komision parlamentar të Britanisë së Madhe për të hyrë në Hong Kong, si pjesë e një hetimi në marrëdhëniet britanike me koloninë e saj të mëparshme.

Sipas parimit “një vend, dy sisteme”, Hong Kong, i administruar për 100 vjet nga Britania e Madhe, ka një sistem ekonomik dhe politik të ndryshëm nga ai i Republikës Popullore të Kinës.

Ky qytet ka një ekonomi të fuqishme kapitaliste të shërbimit, e karakterizuar nga taksat e ulëta, tregtia e lirë dhe ndërhyrja minimale e qeverisë në ekonomi. /lajmi.net/