Sërish ndërpritet prodhimi në “Ferronikel”

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ka siguruar se punëtorët janë duke shkuar rregullisht në punë, i marrin pagat me rregull dhe se nuk ka asnjë paralajmërim për mundësinë e mbylljes së fabrikës. Dobra: “Ferronikeli” s’e ka njoftuar Komunën për problemet që ka, por është duke funksionuar.

Lajme

24/03/2018 09:02

Është ndërprerë për të satën herë prodhimi në gjigantin e dytë më të madh ekonomik në Kosovë, pas “Trepçës”. Ka dy javë që prodhimi në “Ferronikel” është ndërprerë, por punëtorët vazhdojnë të punojnë normalisht. Ndërprerjes së prodhimit i ka paraprirë një prishje në furrën elektrike, respektivisht dëmtimi i kulmit të furrës elektrike që është pjesa kryesore e prodhimit. Aktualisht të gjithë janë të angazhuar në riparimin e furrës elektrike. Prodhimi në “Ferronikel” është ndërprerë vetëm përkohësisht derisa të kryhen riparimet e nevojshme për të vazhduar pastaj me prodhimin, kanë thënë në “Ferronikel”.

Punëtorët në anën tjetër as nuk dëshirojnë të mendojnë për ndonjë ndërprerje më të gjatë të prodhimit, në veçanti nuk dëshirojnë as të mendojnë për mundësinë që kjo fabrikë të mbyllet, siç është duke u përfolur në kohë të fundit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.