Seri shpërthimesh në lagjen diplomatike në Kabul

Një seri shpërthimesh ka ndodhur sonte në lagjen diplomatike në Kabul, në valën më të re të dhunës që po e trondit Afganistanin.

Bota

27/11/2014 18:40

Disa talibanë kanë hyrë në një rezidencë diplomatike. Forcat tona janë atje dhe janë duke u konfrontuar me armiqtë, tha një zyrtar ushtarak afgan.  

Deri tash nuk është e njohur se sa njerëz kanë humbur jetën, ndërkohë që talibanët kanë marrë përgjegjësinë për shpërthime në zonën diplomatike të Kabulit, duke cekur se “kanë goditur një qendër të rëndësishme të armikut”.

Gjatë ditës së enjte, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, në mesin e tyre edhe një shtetas britanik, me rastin e sulmit kamikaz në një automjet të ambasadës britanike në Kabul, ka njoftuar policia afgane.

“Një shtetas britanik është vrarë gjatë sulmit të sotëm”, tha zëdhënësi i policisë, Hashmat Stanakzai.

Në Kabul të hënën ka ndodhur një shpërthim i madh, me ç’rast janë vrarë dy ushtarë amerikanë, ndërsa në provincën lindor Paktika, të dielën talibanët kanë vrarë 57 persona, shikues të  një ndeshje volejbolli.