Serbia vazhdon propagandën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL

Autoritetet e Serbisë edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar propagandën e tyre kundër pranimit të Kosovës në ONTERPOL.

Lajme

22/10/2018 20:55

Sekretarja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Dijana Hërkaloviq, gjatë ditës së sotme i ka dhënë argumentet e shtetit serb kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, transmeton lajmi.net.

Hërkaloviq i ka shfaqur këto argumente para ambasadorit kubanez në Beograd, Gustavo Del Toda si dhe para ushtruesit të detyrës së ambasadorit argjentinas Huán del Río.

Siç shkruajnë mediat serbe, Hërkaloviq i ka thënë këtij delegacioni se pranimi i Kosovës në INTERPOL do të përbënte një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare e në veçanti do të shkelej Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas Hërkaloviq, nëse Kosova anëtarësohet në INTERPOL, kjo do të përbënte shkelje të procedurave të kësaj organizate, pasi që sipas saj, një shtet mund të pranohet në INTERPOL vetëm nëse është anëtarë i plotë i OKB-së, përcjell lajmi.net.

Tutje Hërkaloviq ka thënë se Kosova, do të paraqiste një  vendim të pashembullt politik dhe me pasoja të pa imagjinueshme për sigurinë e të gjithë anëtarëve të INTERPOL-it.

Në këtë takim, ambasadori Gustav del Todo theksoi se Kuba mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe përsëriti se shteti i tij nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Siç shkruajnë mediat serbe, edhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të Argjentinës, Juan del Rio, ka thënë se shteti i tij respekton ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë. /Lajmi.net/