Serbia “urdhëron” kërkime për një tjetër varrezë masive me trupa të shqiptarëve

Zëvendësprokurori serb, Dragoljub Stankovic nuk e ka bërë publik emrin e lokalitetit ku do të nisin kërkimet, por ka pranuar se dyshohet që kjo varrezë masive ndodhet në një hapësirë në të cilën edhe më parë janë gjetur trupa të viktimave nga Kosova të varrosur në grup.

Lajme

29/09/2014 09:24

Prokuroria për Krime Lufte e Republikës së Serbisë gjatë muajit tetor të këtij viti do të nxjerrë një urdhëresë për nisjen e kërkimeve në një lokalitet ku dyshohet se ka mbetje mortore të shqiptarëve të Kosovës, të cilët janë vrarë gjatë vitit 1999, shkruan ‘Koha Ditore’.

Përfaqësuesit e organit të akuzës nuk e kanë bërë publik emrin e lokalitetit, por kanë pranuar se dyshohet që kjo varrezë masive ndodhet në një hapësirë, në të cilën edhe më parë janë gjetur trupa të viktimave nga Kosova të varrosur në grup.

Dragoljub Stankovic, zëvendës prokuror për Krime Lufte ka theksuar se besohet se në këtë vend nuk janë kryer kërkimet deri në fund, dhe se ka disa të dhëna se aty mund të gjendet edhe një varrezë masive. 

Zbulimi i varrezave masive dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, është kushtëzuar vazhdimisht nga politika e Beogradit zyrtar, përkundër faktit se bëhet fjalë për një çështje humanitare.