Serbia t’i ndjekë kriminelët që vranë civilë në Kosovë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni i ka thënë agjencisë italiane të lajmeve “Agenzia Nova” se Beogradi do të duhej t’i ndiqte kriminelët e vet të luftës ashtu siç është duke bërë Prishtina me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nëpërmjet krijimit të Gjykatës Speciale të ardhshme të mbështetur nga BE.

Lajme

26/02/2015 16:29

Ai i është përgjigjur deklaratave të gjeneralit dhe deputetit serb, Momir Stojanoviq, sipas të cilit “red notice ” i lëshuar dje nga Interpoli ndaj tij për krime të supozuara kundër civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të vitit 1999 është një “reagim” ndaj Gjykatës Speciale për t’i gjykuar ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Këto deklarata nuk anë kurrfarë baze”, komentoi Hyseni.

“Të gjitha krimet duhet të hetohen, duke u nisur nga autorët dhe nga vendi ku janë kryer. Shpresoj që edhe Serbia ta pranojë nevojën e inkriminimit të ish-ushtarëve të vet dhe të pjesëtarëve të grupeve paramilitare që janë njollosur me krime të tmerrshme në Kosovë. Nuk duhet të harrojmë se në Kosovë janë vrarë mbi 12 mijë persona në më pak se gjashtë muaj”.

Interpoli ka lëshuar dje 17 “red notice ” (instrument i përafërt me flet-arrestin), për po aq ish- anëtarë të ushtrisë jugosllave, forcave të policisë dhe luftëtarëve serbë në konfliktin në Kosovë në fund të viteve nëntëdhjetë.

“Çdo përpjekje për të bërë një krahasim mes këtij fakti dhe Gjykatës Speciale është i pakuptimtë, ngase bëhet fjalë për situata që dallojnë”, pohoi Hyseni.

Ish-ushtarët dhe agjentët e policisë serbe janë të dyshuar se kanë marrë pjesë në vrasjen e mbi 300 vetave të etnisë shqiptare në fshatrat Mejë dhe Korenicë, që gjenden në zonën e Gjakovës dhe Rekës së Keqe, pranë kufirit me Shqipërinë. Stojanoviq i ka hedhur poshtë akuzat, duke shtuar se “lëvizja është bërë për t’i trembur serbët”, në mënyrë që të mos kthehen në Kosovë.

“Uroj ta kem prapa meje shtetin dhe ai ta thotë fjalën e vet për këtë çështje”, ka theksuar Stojanoviq në një deklaratë të dhënë dje shtypit serb në selinë e Parlamentit të Beogradit.

Autoritetet e Prishtinës, përfundoi ministri i Brendshëm i Kosovës, janë “të gatshme ta hetojnë çdo krim të kryer nga kosovarët: edhe Serbia do të duhej ta bënte të njëjtën gjë”. (Agenzia Nova)