Serbia s’ka vullnet për fqinjësi të mirë

Qeveria e Kosovës ia ka paraqitur BE-së raportin për rrjedhojat e dialogut të Brukselit dhe procesin e zbatimit të marrëveshjes për periudhën janar- shtator 2014.

Lajme

15/10/2014 08:45

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri ka vlerësuar se Serbisë i mungon vullneti politik për fqinjësi të mirë me Kosovën.

Ajo në një intervistë për ‘Epokën e Re’ ka deklaruar se shteti serb këtë mungesë vullneti vazhdimisht po e tregon gjatë procesit të zbatimit të marrëveshjes me Bruksel.

“Fakti që Serbia nuk është treguar e gatshme për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, për mendimin tonë, tregon se Serbia nuk ka vullnet politik për vendosjen e marrëdhënieve fqinjësore sipas standardeve të BE-së”, ka thënë Tahiri.

Thotë se tendencat për ta vonuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve tregojnë se Serbia ende nuk i ka ndalur synimet për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.

Mohon se Kosova ka bërë lëshime të reja në fushën e drejtësisë, duke thënë se Gjykata Themelore e Mitrovicës nuk do të shërbejë vetëm për komunat me shumicë serbe.

“Gjykata themelore, të cilën e kemi bërë si pjesë të marrëveshjes së Brukselit do të jetë një gjykatë themelore që ka ekzistuar në Kosovë sepse, sipas Ligjit për Gjykatat, ne kemi 7 gjykata themelore për shtatë rajonet”, ka thënë Tahiri.