Serbia s’ka rrugë tjetër, duhet ta njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se koalicioni PDK-LDK i arritur pas ngërçit të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, është zgjidhja më e mirë për qytetarët e Kosovës.

Lajme

29/12/2014 08:03

Ish-ministri i Jashtëm ka treguar se PDK-ja nuk i ka bërë ofertë kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për tu bërë kryeministër.

Hoxhaj ka thënë se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka treguar sjellje të një politikani burrështetas, duke ia lëshuar postin e kryeministrit LDK-së, për të mirën e shtetit.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se Serbia duhet të njoh pavarësinë e Kosovës, sepse sipas tij, nuk ka rrugë tjetër.

Ai ka thënë se i vjen keq që Serbia nuk ka mundur ende të kuptojë realitetin e ri të Kosovës.

“Fakti që dikush si Marko Gjuriq merret me Kosovën dhe flet për Esad Pashën si ‘figurë të miqësisë shqiptaro-serbe’, flet për një qasje kolonizuese, shtypëse, hegjemone, që edhe më tutje dikush mund ta ketë në kokën e tij në Beograd”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj në një intervistë dhënë për gazetën Epoka e Re.