Serbia shkel marrëveshjet

Ministri Enver Hoxhaj, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, u ankua në Serbinë për mosrespektim të marrëveshjeve me Kosovën. Megjithatë, sipas tij, dialogu me Serbinë e ka ngritur Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Lajme

20/11/2013 15:23

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në një të ardhme të afërt pesë vendet e BE’së ta marrin vendimin për njohjen e Kosovës.

Vitin 2014, Hoxhaj e konsideron si të suksesshëm.

Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e ka ngritur Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Ky vit ka qenë vit i suksesshëm sa i takon aspektit bilateral të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Gjatë këtij viti janë tetë vende të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës”

“Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka qenë një ngritje e fuqishme e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Dhe ky dialog ka prodhuar një momentum të ri që 5 vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës ta gjejnë një arsye jashtë. Dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë që dikush nga këto 5 vende mund ta njohë Kosovën”.

“Unë nuk kam folur asnjëherë me emra shtetesh, por besoj që ky lajm do të shndërrohet në realitet”.

Por, Hoxhaj ka denoncuar Serbinë për mosrespektimin e marrëveshjeve të nënshkruara për përfaqësim të Kosovës në iniciativa rajonale.

“Ne po mendojmë se Serbia po e shkel marrëveshjen çdo ditë. Sot do ta dërgojmë një notë verbale sa i përket një përpjekjeje tonë për anëtarësim në në një organizatë Select që merret me bashkëpunim juridik në Rumani dhe sa i përket kërkesës me shkrim të Serbisë që ta bllokojë Serbinë. Do të ankohemi edhe sa i përket mospjesëmarrjes së Presidentes Jahjaga në SEECP dhe moshkuarjen time atje, që është një nga organizatat më të mëdha në rajon”.

Më shumë se për Serbinë, Hoxhaj është ankuar për qasjen e Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Kjo ka të bëjë me atë që jo vetëm Serbia e ka bllokuar pjesëmarrjen e Kosovës, por edhe Bosnja ka bërë kërkesë me shkrim për mospjesëmarrjen tonë. Unë në viztat e mia të fundit në Parlamentin Europian kam pyetur se a ka Bosnja politikë të jashtme. Për mua është shqetësim i madh nëse vendimet për politikë të jashtme të Bosnjës merren në Beograd e jo në Sarajevë”, ka thënë ai.

“Përderisa normalizimi i marrëdhënieve Kosovës- Serbi ndodh brenda një trekëndëshi Beograd- Bruksel- Prishtinë, jashtë këtij trekëndëshi Serbia edhe më tutje e vazhdon agjendën që ta luftojë shtetin e Koasovës në çdo formë”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë këtij viti Ministri Hoxhaj ka thënë se ka zhvilluar 150 takime me shtetet jo-njohëse të Kosovës. Ai nuk ngurron që meritat për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Europës t’i vë mbi vete, dhe me mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.

“Prej kur unë kam raportuar në këtë Komision, falë edhe mbështetjes së Kuvendit të Kosovës ka ndodhë anëtarësimi i plotë i Kosovës në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Europës. Për këtë anëtarësim kanë votuar 37 shtete, mesin e tyre kanë votuar edhe shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, sikurse është Greqia, Sllovakia, Brumania”.

“Ne duhet ta kuptojmë se energjinë dhe kohën duhet ta harxhojmë më shumë në Bruksel dhe kryeqytete tjera  të BE’së sesa në negociatat Bruksel- Prishtinë për të arritur tek MSA’ja”.

“MSA në rastin e Kosovës do të jetë një proces negociues fillimisht mes institucioneve në Bruksel dhe shteteve anëtare. Pra, më shumë kohë dhe energji do të shpenzohet  në Bruksel dhe kryeqytete tjera të BE’së se sa Bruksel-Prishtinë”.

“Ne besojmë që në pranverën e hershme do ta nënshkruajmë me iniciale marrëveshjen për stabilizim dhe asociim. Në vitin 2014 duhet t’i kalojmë të gjitha procedurat në institucionet e BE’së, ndërsa do të duhej të hyhet në fuqi më herët se viti 2016”.

Ai ka folur edhe për hapjen e tri ambasadave në Australi, Panama dhe Egjipt.

“Prioritet i yni është funksionalizimi i plotë i shërbimit të jashtëm. Jemi në procedurë të hapjes së ambasadës sonë në Panama dhe në Egjipt”.

“Ne këtë vit kemi pasur 18.4 milionë euro buxhet, jemi ndarë mirë me atë buxhet. Buxhet më të madh s’ka as Shqipëria”.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, por edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Hydajet Hyseni-Kaloshi, Skender Hyseni, Donika Kadaj-Bujupi dhe Sabri Hamiti, i kanë shtruar pyetje të shumta ministrit të Jashtëm për organizimin dhe funksionimin e ministrisë , të cilën e udhëheq, për politikat e jashtme jo shumë të qarta të Kosovës, për dialogun me Serbinë, si dhe për shkeljet e shumta ligjore në ministri dhe në Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor të Kosovës.