Serbia propozon Ambasada ballkanike nëpër botë

Ministria serbe e Punëve të Jashtme thotë se ka nisur negociatat me Shkupin, Podgoricën, Sarajevën dhe Lubjanën rreth mundësisë së themelimit të Ambasadave të përbashkëta në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Planet e Serbisë duket se nuk e përfshijnë Kosovën.

Lajme

05/01/2014 09:31

Serbia ka propozuar themelimin e misioneve të përbashkëta diplomatike me një numër shtetesh të Ballkanit nëpër disa vende të largëta.

Ministria serbe e Punëve të Jashtme ka nisur negociatat me Shkupin, Podgoricën, Sarajevën dhe Lubjanën rreth mundësisë së themelimit të Ambasadave të përbashkëta në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, raporton Sarajevo Times.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkic ka thënë se kjo masë do t’i zvogëlonte shpenzimet dhe do t’i bënte vendet e Ballkanit më të dukshme në shumë pjesë të botës. Sipas tij, këto shtete pritet ta arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit.

Në planet e Serbisë nuk përmendet Kosova dhe misionet e saj diplomatike.

Sipas tij, Serbia është shumë afër për të arritur marrëveshje të tilla me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Mrkic tha se i ashtuquajturi “Model Skandinav” ka rezultuar i suksesshëm ndërsa përmendi shembullin e Tokios ku në një ndërtesë punojnë diplomatë të më shumë se 15 shteteve të Amerikës Latine.