Serbia po synon të ridefinojë me Kushtetutë prezencën e vet në Kosovë

Presioni i Listës Serbe për krijimin e Asociacionit është shtuar për shkak se Serbia do të nisë ndryshimet kushtetuese, dhe në kuadër të tyre synon krijimin e një amendamenti të veçantë për Asociacionin.

Lajme

23/03/2015 08:21

Mundësia e hartimit të një amendamenti kushtetues, ku do të ridefinohej prezenca e Serbisë në Kosovë, është plan i mëhershëm i politikës serbe, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithëse një gjë e tillë nuk është zyrtarizuar ende, sipas njohësve të rrethanave, ky është rreziku të cilin Qeveria e Kosovës duhet ta parandalojë.

Ata thonë se në këtë formë do të instalohej ideja e sovranitetit të ndarë, sipas të cilit çdo instrument që themelohet në Kosovë pas dialogut të Brukselit, Serbia do t’i autorizojë ato ndryshime sipas legjislacionit dhe Kushtetutës së saj.

Ndërkaq zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë insistuar se nuk do të pranojnë asnjë kusht të Listës Serbe që del jashtë kornizave të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë për gazetën se megjithëse është detyrim, Qeveria e Kosovës nuk guxon të themelojë një asociacion, e që i njëjti të shdërrohet në një amendament kushtetues në aktin më të lartë të Serbisë.

“Kosova nuk do të duhej të fillonte procesin e themelimit të Asociacionit pa marrë garanci nga Brukseli se Serbia nuk do të bëjë një plan të tillë, i cili tashmë është publik, që Asociacioni i komunave ta parashohë si instrument kushtetues në Kushtetutën e saj. Kjo seriozisht i cenon në nivel afatgjatë marrëdhëniet mes të dyja vendeve dhe e prejudikon rolin e këtij asociacioni në Kosovë. Ai do të shndërrohej në njëfarë Kali të Trojës për ta penguar funksionalizmin normal të Kosovës, sa herë që Lista Serbe të ndihet e pakënaqur politikisht me qëndrimet e saj në raport me politikën ditore në Kosovë”.

Javën e kaluar në Graçanicë, janë takuar përfaqësuesit sebë të Kosovës me ata të Beogradit, ku përmes 10 kërkesave të tyre, ata kanë paralajmëruar veprime të përbashkëta politike në mbrojtje të të drejtave të serbëve, përmes një “asociacioni të fuqishëm të komunave”.

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, thonë se Lista Serbe nuk iu ka vënë asnjë kushtë që të kthehen në institucione.

“Ato janë konkluzione të një tubimi joformal. Nevnuk na janë parashtruar kushte, pasi që, siç kam thënë edhe më parë, me negocimin e kushteve jemi marrë kur kemi nënshkruar marrëveshjen e koalicionit”, ka thënë zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.