Serbia nuk mund ta ndalojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Serbia do ta ketë të vështirë ta ndalojë anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së për arsim, shkencë dhe kulturë UNESCO, pasi që forma e votimin është e pafavorshme për Beogradin, shkruan e përditshmja serbe Danas.

Lajme

18/07/2015 08:56

Pas deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Ahshim Thaçit se Kosova ka bërë kërkesë për anëtarësim në UNESCO, në Beograd ka filluar të mendohet nëse një gjë e tillë do të mund të parandalohej.

Megjithatë, siç thonë burime të Danas brenda qeverisë serbe, kjo betejë do të jetë e vështire dhe pasigurtë. Sipas këtyre burimeve, Serbia do të bëjë çmos, por mënyra e votimit është e pafavorshme, pasi kërkohet vetëm shumica.

“Ashtu siç na është thënë, së pari voton Këshilli Ekzekutiv, ku shumica e shteteve janë që e kanë njohur Kosovën, ndërsa më pas do të mund të kërkohet një mendim ligjor dhe të vendosë Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s”, shkruan Danas, transmeton lajmi.net.

Sipas bashkëbiseduesve të Danas “ky është edhe një rast që Prishtina po sillet dekonstruktive, pasi për këtë nuk është diskutuar në dialogun e Brukselit”.

“Do të jetë një betejë e vështirë, pasi Serbia ka argumente, por nuk i ka mekanizmat që ato t’i pengojë, ashtu siç mund ta bëjë bë OSBE apo OKB”, ka thënë ky burim, transmeton lajmi.net.

Lajmin për aplikimin e Kosovës në UNESCO e dha të enjten zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se kjo vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacionet e UNESCO-s.

Këto deklarata Thaçi i ka shkruar në Facebook:

Sapo aplikuam për anëtarësi në UNESCO, agjencionin e OKB për arsim, shkencë dhe kulturë. Ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s që kemi zhvilluar vetëm këtë vit. Është ky një hap që fuqimisht zgjëron interaksionin tonë global. Presim që në nëntor të hyjmë në këtë organizatë shumë të rëndësishme./Lajmi.net/