Serbia nuk e dorëzon listën për policë

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka kërkuar që Serbia të mos e zvarrisë procesin e implementimit të marrëveshjeve dhe të dorëzojë listën e personave të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.

Lajme

26/09/2013 17:36

Kanë përfunduar takimet dy ditore të grupeve punuese në Bruksel, lidhur me çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është shprehur se nuk ka pasur takime tre palëshe, pra bisedimet janë zhvilluar vetëm me Bashkimin Europian. Ajo kërkoi që Serbia të mos e zvarrisë e implementimin e marrëveshjeve, por t’i plotësojë obligimet e saj si palë në këtë dialog, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

Bisedimet janë përqendruar në avancimin e procesit të integrimit të individëve serbë nga pjesa veriore e vendit në institucionet e shtetit të Kosovës në fushën e sigurisë dhe drejtësisë.

Sa i përket çështjeve të policisë, pala serbe nuk ka dorëzuar listën e personave të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës përkundër faktit që kjo listë është dashur të dorëzohet me 16 shtator në përputhje me konkluzionet e Brukselit.

Si pasojë e mungesës së kësaj liste, raundi i bisedimeve nuk ka mundur të japë rezultate të pritura.

Gjatë këtyre takimeve janë trajtuar edhe çështje të tjera të zbatimit të marrëveshjes së 19 Prillit dhe ka qenë konstatim i përbashkët se përfundimi i procesit të zhbërjes së strukturave ilegale në drejtësi dhe siguri do të ndihmojnë për normalizimin e gjendjes në pjesën veriore si dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve, thuhet më tej në këtë komunikatë.