Serbia në telashe me kthimin e Sheshelit në Hagë

Mjeku i liderit radikal Vojisllav Sheshel, Miovan Bojiq, është shumë i bindur se kthimi i të akuzuarit serb në Tribunalin e Hagës do të ishte një vrasje, pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar shumë ditëve të fundit.

Lajme

04/06/2015 12:52

Askush në Serbi nuk ka vendosur që Sheshel të mos i dorëzohet gjykatës së Hagës, tha përfaqësuesi ligjor i Qeverisë së Serbisë në rastin e Sheshelit, Sasha Obradoviq. Ai në këtë mënyrë i është përgjigjur pyetjes nëse shteti do të bartë pasojat për mosdorëzimin e liderit radikal në Hagë, transmeton lajmi.net.

Obradoviq i ka dorëzuar të hënën një kërkesë Tribunalit të Hagës, duke i kërkuar Dhomës së Apelit të sqarojë nëse do të lëshohet ndonjë urdhër arrest për Sheshelin.

“Kam kërkuar vetëm një dokument që nuk na është prezantuar. Presim përgjigje nga Tribunali. Dhe kur të arrijë dokumenti, procesi do të vazhdojë”, shtoi Obradoviq.

Udhëheqësi i ekipit mjekësor të liderit radikal, Millovan Bojiq, ka thënë se gjendja shëndetësore e Sheshelit nuk lejon kthimin e tij në njësinë e paraburgimit.

“Nuk diskutohet kthimit i Sheshelit në Hagë. Kthimi i tij në Tribunal do të ishte një vrasje”, shtoi Bojiq.

Sipas medieve serbe, gjendja shëndetësore e Sheshel është përkeqësuar dukshëm gjatë katër ditëve të fundit për shkak të përparimit të sëmundjes, por edhe reagimeve të forta ndaj kimioterapisë të cilën ka filluar ta marrë që dy javë. (lajmi.net)