Serbia në mes të Evropës e Rusisë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, siç citon agjencia e lajmeve AP, ka deklaruar se synimi i Serbisë është që t’i bashkohet BE-së, megjithë deklaratat e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin, sipas të cilit, “Serbia duhet të orientohet nga Rusia”.

Lajme

22/05/2018 10:27

Kryeninistrja e Serbisë, Ana Brnabiq, deklaroi se “ministri i Mbrojtjes ka të drejtën e shprehjes së mendimit të tij, por që Serbia ka kursin e saj  dhe që di se cila është strategjia e saj e që, sipas Brnabiq, “ajo është BE-ja”, njoftojnë mediet serbe.

Siç bën të ditur AP, Beogradi zyrtar, me mbështetjen e Rusisë, nuk njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur më 2008, , ndërkohë që Kosovën e pavarur e mbështesin vendet e fuqishme Perëndimore, duke përfshirë këtu edhe SHBA-në, transmeton RTK.

Më tej bëhet e ditur se Serbisë, si vend kyç i Ballkanit e që është në aleancë me Rusinë, pa dëshirë po i premtohet anëtarësimi në BE, në rast se përmbush një sërë kushtesh, në mes tjerash, “vendosjen e paqes me shqiptarët e Kosovës”.

Sipas vlerësimit të AP-së, rruga e ardhshme e Serbisë drejt BE-së pengohet nga presioni politik dhe propagandues i Moskës, që synon mbajtjen e rajonit të Ballkanit larg NATO-s dhe organizatave të tjera perëndimore.

AP, gjithashtu, njofton se në radhët e qeverisë serbe ka një numër ministrash ”me orientim rus” të cilët vazhdimisht po përpiqen për të minuar qëllimin e saj zyrtar – bashkimin me BE-në

AP, po kështu, bën të ditur se në Samitin e Sofjes, liderët e BE-së kanë inkurajuar vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Serbinë, që të vazhdojnë rrugën reformave që çojnë drejt BE-së, ndërkohë që u është bërë e qartë se asnjëra nga këto vende nuk do të mund të anëtarësohen në një të ardhme të afërt.