Serbia ndal prodhimin e energjisë në Hidrocentralin e Ujmanit

Hidrocentrali i Ujmanit e ka ndalur prodhimin e energjisë elektrike për shkak të pamundësisë së shpërndarjes së rrymës në rrjetin elektroenergjetik të Kosovës.

Lajme

11/02/2015 08:24

E shpërndarja e energjisë elektrike është pamundësuar për shkak të mungesës së lejes nga kompania serbe që ilegalisht menaxhon me nënstacionin e Vallaqit, shkruan sot Koha Ditore.

“Problemin e kemi me prodhim të rrymës, të cilën e kemi të lidhur direkt me ‘qendrën nacionale të shpërndarjes së Serbisë’. Pa dhënë kjo qendër lejen për kyçjen në rrjetin e tyre, ne nuk mund të prodhojmë rrymë, sepse nuk kemi se ku ta shpërndajmë atë energji. Ky është një lloj shantazhi që ka konotacion politik”, ka thënë ky burim i gazetës.

“Hidrocentrali i Ujmanit lidhet në Vallaq, dhe në Vallaq nuk kemi qasje”.

Gazeta ka kuptuar se këto pengesa po bëhet nga i deleguari i kryetarit të Komunës së Zubin- Potokut, Stevan Vuloviq.

Edhe më parë gazeta kishte raportuar tendencën e kryetarit të kësaj komune për ta emëruar vëllanë në pozitën e menaxherit të Ujmanit, por kjo i ishte refuzuar nga ndërmarrja “Ibër-Lepenci”.