Serbia kërkon shtyrjen e votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO

Pranimi i Kosovës në UESCO, definitivisht do të jetë pikë e rendit të ditës në konferencën e kësaj organizate që do të mbahet të hënën (më 9 nëntor), por pala serbe mendon se ekzistojnë shanse që kjo të shtyhet për dy vjet, transmeton lajmi.net.

Lajme

06/11/2015 15:00

Kështu ka thënë ambasadori i Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskoviq, i cili për mediat serbe ka bërë të ditur se do të kërkojë nga Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate ta shtyjë këtë çështje.

“Serbia do të propozojë që diskutimi për këtë pikë të shtyhet deri në konferencën e radhës që do të mbahet në vitin 2017. Nëse kjo kërkesë do të merrte shumicën, atëherë kjo pikë nuk do të futet në rend të ditës”, ka thënë ambasadori serb, transmeton lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se numri shteteve që po e pranojnë këtë ide të Serbisë është në rritje por, siç ka thënë “nuk është e sigurt nëse ky numër është i mjaftueshëm”. /lajmi.net