Serbia kërkon që anëtarësimi i Kosovës në UNESCO të jetë pjesë e dialogut

Pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës për 3 vota në organizatën e UNESCO-s, Serbia ka dalë me ide të re – kjo çështje të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel. Të paktën kështu po thotë drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, transmeton Republika.info.

Lajme

09/11/2015 21:05

Sipas tij, votimi sot në Paris është fitore e arsyes.

“Edhe pse sot në Prishtinë dhe në të gjithë botën shumë do të jenë të pikëlluar me vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, një përfundim i tillë nuk duhet ta frustrojë askënd, sepse kjo është vetëm vërtetim që iniciativa qysh në fillim ka qenë e gabuar dhe se zgjidhjen duhet gjetur në rrugë tjera”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka vlerësuar se me votimin e sotëm, UNESCO ka porositur se “temat e interesit madhor për popullin serb dhe atë shqiptar në Kosovë nuk munden e as nuk guxojnë që të zgjidhen me vendime të njëanshme dhe as me iniciative të tilla”.

“Çështja e vendndodhjes dhe e pasurisë së Kishës Ortodokse Serbe, si dhe statusi i trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, duhet, pa marrë parasysh ambiciet e institucioneve në Prishtinë, të zgjidhet në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinë, me pjesëmarrjen edhe të Kishës Ortodokse Serbe”, ka thënë ai, duke shtuar se Beogradi është i gatshëm për një dialog të tillë.

Ai i ka falënderuar vendet që kanë votuar kundër hyrjes së Kosovës në UNESCO.