Serbia i jep zjarr ndezjes së luftës në Maqedoni (Foto)

Fillimi i një lufte në Maqedoni duket të jetë me interes për Serbinë. Gazetat kryesore të Beogradit, sot në ballinat e tyre, janë marrë me atë që ndodhi në Kumanovë, duke shkuar deri atje, sa të thonë se kanë informacione se lufta e vërtetë në Maqedoni do të fillojë më 12 maj (nesër), dhe se ajo po bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton lajmi.net.

Lajme

11/05/2015 11:52

Gazeta serbe “Kurir” e cila njihet për afërsinë e saj me shërbimin sekret serb (BIA), në ballinën e saj shkruan se “Lufta e vërtetë fillon më 12 maj”. Ajo thirret në burime të saj dhe në deklaratat publike të pjesëtarëve të armatosur që morën pjesë në përleshjen e Kumanovës e që vetën po e quajnë UÇK, se lufta e vërtetë cila për qëllim ka krijimin e Shqipërisë së Madhe, fillon nesër.

1

Ndërsa, gazeta tjetër “Informer”, gjithashtu e njohur për afërsinë me pushtetin në Serbi, shkruan se shqiptarët që u përleshën me policinë maqedonase në Kumanovë këtë po e bëjnë me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe krejt kjo me qëllim pengimin e projektit rus të gazsjellësit i cili kalon përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për të dalë më pas në Evropën Perëndimore, transmeton lajmi.net.

Kjo gazetë e cila thirret në burime diplomatike shkruan se zyrtarët e inteligjencës amerikane u kanë dhënë sinjal anëtarëve të UÇK-së për të filluar sulmet.

“Ky sulm ishte mesazh që kishte për qëllim t’i dërgohej kryeministrit maqedonas Gruevski dhe homologut të tij serb Vuçiq. Mos harroni se në ditën e sulmit në Maqedoni, në Moskë ushtria serbe marshoi në paradë ushtarake bashkë me rusët”, citon kjo gazetë një prej ambasadorëve të Serbisë, të cilit nuk i përmend emrin.

Tutje “Inforemer” vazhdon me artikullin spekulativ duke shkruar se një ditë para se të fillonin sulmet në Kumanovë, Athina u vizitua nga një i dërguar i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për çështjet e energjisë, i cili i kërkoi Greqisë të tërhiqet nga projekti rus i gazsjellësit që kalon nëpër Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi dhe kalon në Evropën Perëndimore.

2

Për situatën në Maqedoni shkruan edhe e përditshmja “Blic”, e cila gjithashtu duke u thirrur në burime të saj, thotë se shërbimi sekret serb e kishte paralajmëruar Maqedoninë më 6 prill se shqiptarët po përgatisin sulme terroriste atje, por sipas saj Shkupi zyrtar i kishte injoruar këto informacione.

4

Edhe e përditshmja tjetër serbe “Novosti” rëndësinë kryesore të botimit të sotëm ja ka kushtuar situatës në Maqedoni, duke e nisur me titullin, “Nëse Kumanova do të ndez Ballkanin”.

3

Pra, nga kjo që shihet dhe mund të lexohen në këta artikuj dhe “mes rreshtave” të tyre, mund të konkludohet se një konflikt i ndezur në Maqedoni nga shqiptarët, i cili më pas do të mund të përhapej në tërë Ballkanin, më së shumti i konvenon Serbisë, e cila vazhdon ta mbajë në sirtarë realizimin e idesë së saj për lëvizje të kufijve.

Ajo me gjithë çmimin e lartë që po paguan, gjithë kohën punon që të mbajë një situatë jo stabile në Bosnje dhe në Kosovë, me shpresën se një ditë do të mundet të ja bashkëngjisë territorit të saj, gjysmën e Bosnjës (Republika Serbe) dhe gati një të katërtën e territorit të Kosovës (Komunat Veriore).

Serbia aktuale me një territor prej mi 77 mijë km2 dhe me një popullsi prej mbi 7 milion banorë, me bashkimin e Republikës Serbe e cila përfshinë një territor me rreth 25 km2 dhe një popullsi me rreth 1.5 milion banorë (gati sa komplet territori i Shqipërisë, apo më shumë se dy territore të Kosovës) dhe me pjesën veriore të Kosovës, pa asnjë dyshim do të mund të bëhej vendi me fuqinë kryesore rajonale. (lajmi.net)