Serbia i dërgon ‘selam’ Kosovës: Maltretimi i Gjuriqit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar

Autoritetet serbe kanë marrë masa pas aktit, siç po e quajnë ata, terrorist kundër drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Lajme

26/04/2018 22:14

Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, transmeton lajmi.net.

Ai ka folur edhe për Asociacionin ku ka thënë se “Beogradi këmbëngulë në zbatimin e mirëfilltë të Marrëveshjes së Brukselit në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe”.

“Prokuroria për Krim të Organizuar ka nisur hetimin”, ka thënë Stefanoviq, duke vazhduar se do të bëjnë padi ndaj autorëve dhe bashkëpunëtorëve që kanë marrë pjesë në arrestimin e Gjuriqit në veri të Mitrovicë.

Tutje, para deputetëve në Parlament ka thënë se pjesëmarrësit nuk do të mbetën pa u ndëshkuar.

Më pas ministri i Brendshëm serb ka thënë se nuk do t’i ndalin përpjekjet që urdhri për arrestimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe të tjerëve të rikthehet në funksion.

Sipas Stefanoviqit, arrestimi i Gjuriqit tregoi se nuk ka vullnet nga pala kosovare të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit, përfshirë edhe formimin e AKS-së.

Ai gjithashtu ka thënë se Beogradi do të vazhdojë të insistojë në zbatimin e AKS-së, në mënyrë të plotë, jo të pjesshëm dhe tha se BE-së si ndërmjetësues i marrëveshjes duhet të bëjë më shumë presion ndaj Prishtinës.

Kujtojmë, se Marko Gjuriq u arrestua dhe më pas u dëbua për Serbi, më 26 mars të këtij viti, pasi nuk kishte përfillur refuzimin e kërkesës së autoriteteve kosovare për të hyrë në Kosovë. /Lajmi.net/