Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës! – Lajmi.net
Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës!
Autori: Burim Ramadani LajmeOp-EdOpinionPolitikë 11:23, 3 July 2018
Nxënësit serbë duhet të mësojnë për politikën hegjemone dhe gjenocidiale të udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit. Të rinjtë serbë duhet të kuptojnë se qëllimet e Serbisë për të shkatërruar kombe tjera gjatë dekadës së kaluar kanë qenë për pushtim territoresh. Elita politike serbe duhet t’i tregojë popullit të vërtetën për ngjarjet në Kosovë bashkë me kërkim-faljen për Kosovën!

Nxënësit serb në shkolla fillore duhet të mësojnë për politikat hegjemone dhe gjenocidiale që i ka udhëhequr Serbia e Millosheviqit. Kjo të pasojë kërkim-faljen nga autoritetet e Serbisë ndaj Kosovës dhe popullit të Kosovës.

Elita politike e Serbisë duhet t’i tregojë popullit të vet të vërtetën për gjithçka që kanë bërë në Kosovë. Për dekada me radhë.

Vuçiqi mund t’i rikthehet së pari rastit të njohur si “Panda”. Apo e keni harruar?

Gjashtë (6) të rinj serbë në Pejë, në dhjetor të vitit 1998, ishin vrarë nga vetë shërbimi sekret i Serbisë, për të thelluar më pastaj operacionet kundër shqiptarëve të Kosovës dhe për të tentuar që të mbulojnë planet reale për shfarosje të shqiptarëve në Kosovë. Apo nuk e paralajmëroi kështu përafërsisht edhe Vuçiqi njëherë gjatë vitit 2013 e pastaj edhe në fund të vitit 2016, kur tha se “do të habiteni kush e ka bërë vrasjen e të rinjve serbë, por vrasësit nuk janë nga pala shqiptare”?

Një logjikë e tillë e operacioneve serbe në Kosovë nuk ka përfunduar asnjëherë, pavarësisht se mjetet e veprimit janë ndryshuar me kohën. Populli i Serbisëështë manipuluar vazhdimisht, duke mirëmbajtur nacionalizimin dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Porse, Serbia nuk ka ku të shkojë më tutje përpos detyrimit për kërkim-falje. E kjo, sigurisht, nuk është një fjalë goje. Është një program i tërë kombëtar i tyre për të mësuar të gjitha gjeneratat e reja se çka kanë bërë paraardhësit e tyre.

Viktimat e luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-99, janë ofenduar shumëherë edhe pas luftës, nga po të njëjtat struktura institucionale të Serbisë. Në Beograd, gjykatat serbe kanë liruar si të pafajshëm, për shembull, tre nga shtatë të akuzuarit për masakrën makabre të kryer në Suharekë ndaj familjes Berisha në mars të vitit 1999.

Pa dyshim se nuk është treguar fare ndonjë vullnet politik, njerëzor dhe ndërkombëtar të institucioneve dhe popullit serb për të pranuar krimet e kryera në Kosovë, sikurse edhe për të dënuar fajtorët politikë dhe ekzekutuesit e këtyre masakrave dhe vrasjeve. E të mos flasim për të kërkuar falje ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës për vrasjet masive, dhunën, shkatërrimet dhe gjenocidin e tentuar në Kosovë.

Gati njëzet (20) vjet pas luftës në Kosovë dhe pas ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, pozicioni i Serbisë dhe politikës së atjeshme nuk ka ndërruar në themelin e saj, pavarësisht se tashmë kemi mundur të shohim ndonjë deklaratë që është dukur të jetë më e moderuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO-ja, OSBE-ja, OKB-ja dhe institucione e organizata të ndryshme botërore kanë qenë dëshmitarë për atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve dhe dekadave me radhë. Zaten, për këtë shkak edhe kanë intervenuar pjesa e botës demokratike.

Prandaj, secili veprim i Serbisë dhe institucioneve të saja për të fshehur, mos-pranuar dhe hedhur poshtë faktet për dhunën, vrasjet dhe tentimin e gjenocidit në Kosovë, do të thotë veprim për të forcuar edhe më tutje mentalitetin politik dhe hegjemonik të politikës së kohës së Millosheviqit.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO