Serbia duhet t’i bashkohet BE-së kundër Rusisë

Maja Kocijancic bën të ditur se në takimin e sotëm në Bruksel, nuk do të diskutohet për çështjen në Ukrainë. Por, sipas saj, BE kërkon nga shtetet kandidate që t’i bashkohen qëndrimit të Brukselit lidhur me sanksionet ndaj Rusisë.

Lajme

31/03/2014 13:54

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton, Maja Kocijancic, ka thënë se në bisedimet e sotme në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të diskutohet Kriza në Ukrainë.

Mirëpo, sipas saj, BE pret që të gjitha shtetet kandidate për anëtarësim të kenë politikën e jashtme në përputhje me atë evropiane.

“Kjo nuk është çështje për të cilën duhet te diskutohet në dialog, mirëpo, qëndrimi ynë është i njohur”.

Kocijancic në prag të raundit të 23 të dialogut për Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve, i ka bërë thirrje të gjitha shteteve të treta dhe atyre që kanë statusin e kandidates për anëtarësim të BE-së, që ti bashkohen qëndrimit të Brukselit.

Mediat serbe kohëve të fundit kishin raportuar se Brukseli zyrtar po kërkon nga Kryeministri i ardhshëm i Serbisë, Aleksandar Vucic, që t’i vë sanksione Rusisë.

Kjo sipas këtyre raportimeve, është pritur të ndodhë sot në takimin trepalësh në Bruksel, Thaçi-Ashton-Dacic.