Serbia ‘do të përballet me rënie’ pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Një studim i porositur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur tha se Serbia rrezikon një rënie dramatike nga mesi i këtij shekulli nëse nuk arrin të zgjidhë situatën e Kosovës, e cila mund të përfshijë shkëmbimin e territorit.

Lajme

20/04/2018 19:42

Serbia përballet me një të ardhme të zymtë ekonomike dhe demografike nëse nuk arrin të zgjidhë konfliktin e Kosovës dhe nëse nuk bashkohet me BE-në, paralajmëron një studim i ri nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi.

Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit mbi normalizimin e marrëdhënieve do të siguronte humbje shumë më të vogla demografike dhe ekonomike për Serbinë sesa skenari i mos zgjidhjes së marrëdhënieve, shton ai, duke vënë në dukje gjithashtu se një shkëmbim territorial gjerësisht i përfytyruar do t’i sjellte përfitime Serbisë rreth 90 milionë euro në vit.

“Për shkak të përmirësimit të klimës ekonomike dhe stabilizimit të situatës politike, vlerësimi i kredisë së vendit do të rritet, duke siguruar qasje më të lehtë në kapitalin financiar”, thuhet në studim, duke deklaruar se borxhi i jashtëm i Serbisë do të binte nga rreth 24 miliardë euro sa ishte në vitin 2017 në 14.8 miliardë deri në vitin 2030.

Sipas raportit “Efektet ekonomike, demografike dhe sociale të skenarëve të ndryshëm të marrëdhënieve të normalizuara midis Beogradit dhe Prishtinës”, Serbia është duke u përballur me probleme shqetësuese demografike, me popullsinë që do të bie në mënyrë dramatike deri në vitin 2060.

Nëse do të normalizoheshin marrëdhëniet me Kosovën, thuhet se popullsia e Serbisë deri në atë vit do të ishte rreth 5.57 milionë, krahasuar me vetëm 3.96 milion nëse realizohet një “skenar i status quos”.

Status quo-ja supozon se Beogradi dhe Prishtina nuk do të normalizojnë marrëdhëniet, duke parandaluar kështu Serbinë që të mbyllë Kapitullin 35 në negociatat e saj me BE-në dhe kështu nuk do të bëhet anëtare e klubit evropian.

“Niveli i ulët i parashikuar i rritjes prej 1.9 për qind … i kombinuar me rritjen e të gjitha formave të konsumit, në mënyrë të pashmangshme çon në një rritje të inflacionit dhe zhvlerësimit të dinarit [monedhës kombëtare]”, thotë studimi.

Ai shton se ky skenar nuk do të ishte i qëndrueshëm në një periudhë afatgjate dhe do të çonte në një “ulje dramatike të rezervave valutore”.

Një vonesë në bashkimin e Serbisë në BE do të çonte në një rënie të investimeve të huaja direkte nga anëtarët e BE-së dhe vendet e tjera të zhvilluara, si dhe një rënie të standardeve të jetesës dhe vlerësimit të kredive të Serbisë, ndërkohë që papunësia do të rritej, thotë studimi.

Studimi gjithashtu shqyrton gjerësisht propozimet për një shkëmbim territorial midis Serbisë dhe Kosovës, duke thënë se nëse kjo do të bëhet, Serbia mund të priste një përfitim modest ekonomik dhe demografik.

GDP-ja vjetore e Serbisë do të rritet me 90 milionë euro në vit, nëse ajo ndërron komunën me shumicë shqiptare, Preshevën me zonat kryesisht serbe të Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës veriore në Kosovë, tha studimi.

“Ky shkëmbim është më i favorshëm për Serbinë për një numër arsyesh”, thotë studimi i Fondacionit Shoqëria e Hapur, por nuk hyn në atë nëse Kosova do të pranonte një shkëmbim të tillë.