Serbia dhe Bosnja s’e kanë të zgjidhur demarkacionin, por BE-ja nuk i pengon si Kosovën

"Bëmë kompromise, por fatkeqësisht sot nuk ishte e mundur një marrëveshje përfundimtare", tha presidenti serb Vuçiç

Lajme

06/12/2017 15:18

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot se nuk është arritur një marrëveshje për kufirin BeH-Serbi.

Deklarata e presidentit të Serbisë, u bë pas takimit që realizoi në Beograd me kryetarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Dragan Çoviç, dhe anëtarët Bakir Izetbegoviç dhe Mlladen Ivaniç, në të cilën Vuçiç tha se i vjen keq, që nuk kanë mundur të zyrtarizojnë marrëveshjen për kufirin mes dy shteteve.

“Miqve tanë nga BeH-ja u dhamë propozimet në përputhje me marrëveshjen nga Sarajeva. Fituam përshtypjen se ata parimisht u dakorduan, por do të presim të shohim se çfarë do të bëjnë fqinjët tanë lidhur me kufirin. Plani ynë fillestar ishte që hidrocentralet ‘Zvornik’ dhe ‘Bajina Bashta’ të përfshihen të tëra brenda terirrorit tonë. BeH nga ana e saj dëshiron që kjo të përdoret si shërbim konform të drejtës ndërkombëtare në 99 vitet e ardhshme. Jemi të gatshëm që të njëjtën ta ofrojmë edhe në territorin të cilin e dëshiron BeH-ja, transmeton aa. Lidhur me Priboin dhe Rudon, jemi të mendimit të këmbejmë një për një metër të territorit”, tha Vuçiç, sipas të cilit Serbia ka pasur një qasje korrekte, dhe ka bërë të pamundurën që të arrihet një marrëveshje.

“Bëmë kompromise. Fatkeqësisht sot nuk ishte e mundur një marrëveshje përfundimtare”, tha Vuçiç.