Serbi që vrau gazetaren britanike para 16 vjetësh, ende në liri

Në shenjë hakmarrjeje për bombardimet e NATO-s mbi objektin e Televizionit Shtetëror Serb (RTS), në vitin 1999, mafia serbe në Mbretërinë e Bashkuar vrau gazetaren angleze, Jill Dando, shkruan Mirror, duke iu referuar burimeve policore britanike.

Bota

30/03/2015 21:45

Kriminelët e fuqishëm serbë organizuan dhe kryen vrasjen e gazetares britanike në një klub nate në Londër, shkruan në të dhënat policore britanike, transmeton Telegrafi.

“Personat të cilët kanë planifikuar vrasjen e Jill Dando takoheshin rregullisht në klubin e natës ‘Scandal, në West End’ të Londrës. Një nga ata ishte një burrë i gjatë me një tatuazh në qafë”, thotë dokumenti policor.

Por, ky person kurrë nuk është gjetur, ndërsa informacioni kurrë nuk është verifikuar, pasi hetimet u përqendruan tek miku i tij, Barry George.

“Serbët takoheshin rregullisht në klubin ‘Scandal’. Ata njiheshin mirë, pasi që kishin edhe tavolinën e tyre të rezervuar, ku edhe planifikuan vrasjen e gazetares”, tha një burim i policisë.

Televizioni RTS u bombardua në vitin 1999, kur qenë vrarë 16 persona, ndërsa Jill u vra vetëm tre ditë më vonë.

Gjithashtu, në këtë raport policor thuhet se vrasësi ishte tifoz serb i klubit londinez të Chelseat, i cili rregullisht gjendej në shkallët e stadiumit të Stamford Bridge, pranë shtëpisë së gazetares në Fulham, Londrën juglindore.

Në raportin policor thuhet se krimineli serb është “i gjatë 180 centimetra, mbi 30-vjeçar “, ndërsa “serbi këtë krim e kreu duke u hakmarrë për bombardimet e NATO-s, të cilat kishin për qëllim ndaljen e spastrimit etnik shqiptar në Kosovë dhe vrasjes së civilëve” .

Kujtojmë se Jill Dando udhëhiqte fushatën televizive për ndihmë ndaj refugjatëve shqiptarë të Kosovës, të cilët u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë viteve ’90-të të shekullit të kaluar dhe vrasjes së civilëve shqiptarë nga ana e kryekriminelit serb, Sllobodan Millosheviq.

Dokumentet e policisë gjithashtu zbulojnë se tre ditë pas vrasjes së Jill Dando, televizioni BBC mori një telefonatë kërcënuese, ku paralajmërohej vrasja e Anne Robinson dhe Alice Bir.

Lajmërohem nga Serbia, do ta vras Anne Robinson, Alice Bear dhe dy të tjerë, shkruan në raportin policor.

Avokati Michael Mansfield, që përfaqëson Barry George, këmbëngul për një rishikim urgjent të lidhjeve me Serbinë.

“Në atë kohë ka pasur presione politike në lidhje me atë që ndodhte në Ballkan dhe me Millosheviqin. Ne argumentojnë se kjo ishte hakmarrje”, beson avokati, duke shtuar se klienti i tij nuk kishte lidhje me vrasjen e gazetares britanike. /Telegrafi/