Serbi, 22 të lënduar nga përplasja e dy trenave

Të paktën 22 persona janë lënduar gjatë përplasjes së mbrëmshme mes një treni mallrash dhe një treni pasagjerësh jo shumë larg Novi Sadit në Vojvodinë të Serbisë.

Lajme

12/01/2017 10:07

Sipas informacioneve jozyrtare, aksidenti ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00 kur treni i pasagjerëve i cili qarkullonte në linjën Novi Sad-Sombor Vërbas, goditi në vagonin e fundit të trenit të mallrave i cili shkonte nga drejtimi i Novi Sadit drejt Suboticës.

Aksidenti ndodhi në vendbanimin Sajlovo të Novi Sadit, ndërsa për shkak të terrenit të paarritshëm, pasagjerët e lënduar janë transportuar me tren tjetër deri te stacioni kryesor hekurudhor dhe më tej janë transportuar me autoambulanca për kontroll në qendrën klinike të Vojvodinës, raporton Anadolu Agency .

Sipas të dhënave jozyrtare, 22 persona janë lënduar, prej të cilëve katër më rëndë, por askush nga të lënduarit nuk është në rrezik jete. Për shkak të fatkeqësisë mbrëmë u ndërpre komunikacioni në drejtimin hekurudhor ndërkombëtar Novi Sad – Budapest.