Serbët pro simboleve të Kosovës në materialin zgjedhor

Kandidatët serbë pajtohen që simbolet e Kosovës të jenë edhe në materialin zgjedhor për serbët e veriut. Rada Trajkoviq thotë se ky material nuk mund të jetë ndryshe nga pjesa tjetër të Kosovës. Ndërsa, Nenad Rashiq konsideron se listat e votimit duhet të jenë të njëjta për të gjithë.

Lajme

27/05/2014 17:16

Politikanët serbë, kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, besojnë se problemet me simbolet e Kosovës në listën e votimit dhe në materialin zgjedhor nga ana e serbëve veriorë nuk do të përsëriten.

Ish-deputetja Rada Trajkoviq pohon se materiali zgjedhor do të jetë i njëjtë për të gjithë serbët në veri apo në jug të Kosovës.
 
“Unë mendoj se nuk do të mund të ketë materiale të ndryshme për serbët në veri dhe për ata në jug të lumit Ibër. Në qoftë se pranohet që materialet të jenë neutrale ndaj statusit, atëherë ato duhet të vlejnë për të gjithë.

“Se a do të punoj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë drejtim, që serbët kur të votojnë mund edhe ta fshehin ose mbulojnë simbolin, për këtë as që mund të bëhet fjalë.

“Sa më përket mua, kjo nuk është fare relevante. Për mua më tepër ka rëndësi kualiteti i njerëzve që janë në listë, si dhe zgjedhja e atyre njerëzve, se sa simbolika”, theksoi Trajkoviq, për REL.
 
Edhe Rashiq ka mendim të njëjtë. Ai thotë se tolerance që kanë treguar isntitucionet e Kosovës në zgjedhjet lokale lidhur me fshehjen e simboleve në materialin zgjedhor në veri të vendit ka mundur të jetë e kuptueshme për shkak të specifikave të kësaj hapësire.
 
“E di që fletëvotimet nuk mund të ndryshohen. Duhet të jenë origjinale, ashtu siç edhe janë edhe në zonat tjera.

“ Nuk mund të ndahen listat e votimit dhe në disa regjione të jenë me logo dhe në disa të tjera pa logo. Nuk e di se si do të ndikoj kjo te votuesit, por sidoqoftë, listat do të jenë ashtu si janë, për të gjithë”, tha Rashiq.