Serbët në veri injorojnë fondin

Fondi për zhvillimin e katër komunave në veri të Kosovës ka mbledhur mbi 2 milion euro. Por ky fond deri më tani nuk ka zgjuar interesimin për shfrytëzim nga serbët e komunave veriore, bëjnë të ditur zyrtarë nga Ministrisë së Financave.

Lajme

11/07/2014 12:33

Fondi për zhvillimin e veriut ka mbledhur mbi 2 milion euro, por që për këto mjete deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë apo vendim për shfrytëzimin e tyre, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Ministrisë së Financave.

Fondi për zhvillimin e veriut është krijuar në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd.

Gëzim Baxhaku,këshilltar në Ministrinë e Financave tregon se mjetet nga ky fond janë të parapara për zhvillimin social, ekonomik dhe infrastrukturorë, por qe deri më tani nuk ka pas kërkesa për shfrytëzim të këtij fondi.

“Me pagesën e fundit e cila është bërë në këtë javë në fondin zhvillimor për veriun janë tubuar 2 milion e 153 mijë euro mjete që duhet të shfrytëzohen për realizmin e projekteve që kanë të bëjnë më zhvillimin social, ekonomik dhe infrastrukturorë të katër komunat në veri të Kosovës”.

“Ku bord që është i përberë nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,  ministri i financave dhe një përfaqësues i komunave të veriut është kompetent për të vendosur për mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve dhe investimin e këtyre mjeteve, deri më tani nuk kemi pasur kërkesë dhe nuk ka pasur vendime për shfrytëzimin e mjeteve të grumbulluara për fondin për veriun”, tha  Baxhaku.

Ndërkaq, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike thotë se mosbërja e kërkesës për shfrytëzimin e këtyre mjeteve nga ana e serbëve të katër komunave veriore nënkupton bojkotim të shpenzimit të këtyre mjeteve.

“Unë besoj që arsyeja pas kësaj logjike të veprimit të komunave serbe të veriut  është që ato në njëfarë formë po pretendojnë që të arsyetojnë që të kenë një financim paralel nga ana e Beogradit dhe që në fakt ta bëjnë të panevojshëm kërkesën e tyre eventuale për shpenzim të mjeteve nga fondi i veriut, që në fund të fundit tregon që edhe marrëveshja e arritur sa i përket fondit po vazhdon të mos zbatohet nga vetë komunat serbe”.

“Besoj që një praktikë e tillë duhet të ndalohet dhe Qeveria e Kosovës duhet ta ngrit këtë çështje sa më herët që është e mundur edhe në Bruksel, por edhe në komunikim më Beogradin”, tha Korennica.

(Evropa e Lirë).

http://www.evropaelire.org/content/article/25453346.html