Serbët në institucione kërcënojnë me largim nëse rrënohet kisha

Përfqësues serbë në institucionet e Kosovës kanë kërcënuar me largim nga institucionet nëse merret një vendim për rrënimin e kishës ortodokse që ndodhet në oborrin e Universitetit të Prishtinës. 

Lajme

23/04/2014 20:57

Kështu ka deklaruar ministri Nenad Rashiq, duke thënë se kjo do të krijonte destabilizim politik në Kosovë.

Mirëpo, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë thënë se nëse fitojnë argumentet e tyre në procesin e legalizimit atëherë ajo edhe mund të rrënohet.

Por, kjo kishë përfundimisht do t’i nënshtrohet procesit të legalizimit, pasi që ajo nuk ka leje ndërtimi. Pas trajtimit që do t’i bëhet do të vendoset nëse do të rrënohet apo do të legalizohet.

Kreshnik Berisha, këshilltar i ministrit Dardan Gashi, ka thënë se kishat në hapësirat e UP-së nuk e kanë trajtueshmërinë si objektet tjera fetare, pasi që ajo është ndërtuar vonë.

Ai ka thënë se nuk dihet sa kohë do të marrë trajtimi i këtij objekti, por, sipas Berishës, kjo do të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës, njësoj si i të gjitha objektet tjera që nuk disponojnë leje.

“Kjo kishë nuk mund të krahasohet me asnjë manastir, me asnjë patrikanë, sepse është absurde dhe jo shumë e lehtë të verifikohet mosha e kësaj kishe dhe e atyre për të cilët tashmë po krahasohet”.

“Ne do të veprojmë sipas ligjeve që tashmë janë në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Mirëpo, kjo çështje e ka acaruar komunitetin serb në Kosovë. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasghiq i ka bërë thirrje ministrit Gashi që të mos marrë ndonjë vendim për rrënimin e kishës, pasi sipas tij, serbët do t’i braktisin institucionet e Kosovës.

Rashiq ka thënë se serbët pranojnë që ky objekt t’i nënshtrohet procesit të legalizimit por asesi të rrënohet, pasi që, sipas tij, do të destabilizonte politikën në Kosovë.

“Ky do të kishte qenë një mesazh shumë i keq. Dhe, në rrethanat politike, sociale dhe në rrethanat miqësore dhe demokratike nuk do të ishte një mesazh i mirë dhe kjo do të bënte një mosbesim i cili nuk na nevojitet në këtë moment”.

“Mendoj që Kosova shkon përpara dhe ky rrënim eventual do të ishte një mesazh shumë i keq dhe as ministri Gashi as kryeministri dhe askush nga ne s’dëshiron ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Rashiq për KTV-në.