Serbët ndjehen të provokuar nga Thaçi, ua kujton pasojat e paradës për Putinin

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili njëherësh është edhe ministër i Punëve të Jashtme, ka deklaruar se Serbia do të obligohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe se në këtë drejtim Beogradin nuk do të mund ta ndihmojë as presidenti rus, Vladimir Putin.

Lajme

23/03/2015 13:32

“Kjo nuk do të ndodh nesër, por do të ndodh në një të ardhme të afërt, pasi anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian lidhet drejtpërdrejtë me njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve, DPA, të cilën e transmeton portali serb, Telegraf.rs, duke  e komentuar këtë deklaratë si provokim të radhës të Thaçit të bërë në adresë të serbëve.

Thaçi ka thënë se për rajonin ballkanik rreziku më i madh vije nga radikalizmi islamik dhe rritja e ndikimit rus, duke theksuar se Serbia do ta ketë të pamundur të luajë me të dyja kartat, në njërën anë të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër të organizojë paradë për Valdimir Putinin.

Shefi i diplomacisë kosovare ka kritikuar edhe deklaratën e homologut të tij serb, Ivica Daçiq, i cili javën e kaluar në samitin rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm të mbajtur në Vjenë, ka thënë se Perëndimi ka dështuar për të parandaluar rrezikun nga radikalizmi islamik.

Thaçi ka thënë se kjo ka qenë një përpjekje e dështuar e Dçiqit për të relativizuar ekstremizmin dhe dhunën që Serbia ka ushtruar në fund të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, duke kujtuar se deri më tani atë e kanë njohur 108 shtete anëtare të OKB-së. Ai ka thënë se shpreson se gjatë këtij viti do të nisë “thyerja e akullit” nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, Sipas tij, njohja nga Greqia, Rumunia, Sllovakia, Qipro dhe Spanja do t’ia hapte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. /lajmi.net/